Musku e tërheq padinë ndaj kompanisë “OpenAI” dhe shefit të saj - NACIONALE

Musku e tërheq padinë ndaj kompanisë “OpenAI” dhe shefit të saj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Miliarderi amerikan, Elon Musk, të martën hoqi dorë nga padia e tij kundër kompanisë së inteligjencës artificiale, “OpenAI”, dhe themeluesve të saj, Sam Altman dhe Greg Brockman, për tradhtimin e misionit themeltar të firmës.

Në një gjykatë në Kaliforni të ShBA-së, Musku e kishte akuzuar kompaninë “OpenAI”, për të cilën ai kishte ofruar ndihmë që të themelohej më 2015, për shkelje të zotimit ndaj krijimit të inteligjencës artificiale nga e cila do të përfitonte shoqëria, kur ajo ishte bërë kompani fitimprurëse e mbështetur nga gjiganti “Microsoft”, raporton “France24”.

Në një dokument të paraqitur nga një avokat që e përfaqëson Muskun kërkohet nga gjykata që ta hedhë poshtë tërë rastin, pa ofruar ndonjë arsye.

As Musku, as kompania “OpenAI” nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment në kohën e publikimit të artikullit.

Miliarderi, i cili u largua nga firma e inteligjencës artificiale më 2018, kishte argumentuar në padi se themeluesja e “ChatGPT”-së gjithmonë kishte për synim që të mbetej kompani jofitimprurëse.

Megjithatë, ai tha se ndryshimet e reja në bord nënkuptonin se “OpenAI” tashmë ishte praktikisht filial i kompanisë “Microsoft”.

Musku kishte bërë akuza të ngjashme në të kaluarën, por “OpenAI” dhe “Microsoft”-i i kishin mohuar ato.

“OpenAI” e mori vëmendjen e publikut në fund të vitit 2022 me lëshimin e robotit virtual, “ChatGPT”, i cili mund të shkruajë poezi dhe ese, madje mund të kalojë edhe provime.

Lajme të ngjashme