Musk-u thotë se ka dhuruar aksione të Tesla-s me vlerë të gati 2 miliardë dollarëve për bamirësi - NACIONALE

Musk-u thotë se ka dhuruar aksione të Tesla-s me vlerë të gati 2 miliardë dollarëve për bamirësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, ka thënë se ka dhuruar aksione me vlerë të rreth 1,95 miliard dollarëve për bamirësi vitin e kaluar.

Ky donacion përmendet në një dosje të rregullatorëve amerikanë. Megjithatë, aty nuk përmendet emri i marrësit ose emrat e marrësve të donacionit, raporton televizioni BBC.

Të mërkurën, miliarderi amerikan tha se fundi i këtij viti do të jetë “kohë e mirë” për të gjetur një person që do ta zëvendësonte atë në pozitën e shefit ekzekutiv të rrjetit “Twitter”.

Në dokumentin e dorëzuar në Komisionin e ShBA-së për Sigurime e Shkëmbime tregohet se donacioni është bërë mes gushtit dhe dhjetorit të vitit të kaluar.

Kjo nuk është hera e parë që Musk-u ka dhuruar aksione të prodhuesit të veturave elektrike për bamirësi. Ai dhuroi aksione me vlerën e rreth 5,74 miliardë dollarëve më 2021, sipas dokumenteve të rregullatorëve.

Vitin e kaluar, ai tha se planifikonte që t’ua dhuronte 20 milionë dollarë shkollave në distriktin Cameron dhe 10 milionë dollarë qytetit Brownsville në Teksas për “revitalizimin e qendrës së qytetit”.

Musk-u ka dhënë shenja se planifikon që të gjejë një zëvendësues për postin e shefit ekzekutiv të “Twitter”-it deri në fundin e vitit 2023.

“Mendoj se kam nevojë që ta stabilizoj organizatën dhe vetëm të sigurohem që të jetë në një vend të shëndoshë financiarisht dhe që plani i produktit të paraqitet qartazi”- tha ai përmes video-lidhjes në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai.

Lajme të ngjashme