"Monstruoz": Putini e dënon sulmin ndaj kryeministrit sllovak të akuzuar për politika pro-ruse
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka quajtur “monstruoz” sulmin me armë ndaj kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, i cili është akuzuar se zbaton politika pro-ruse. Fico u plagos të mërkurën, por thuhet se tashmë është jashtë rrezikut për jetë.
Në një telegram dërguar homologes sllovake, Zuzana Caputova, presidenti rus tha: “E njoh Robert Ficon si burrë të guximshëm dhe të vendosur. Unë shpresoj shumë se këto cilësi do ta ndihmojnë atë për t’i mbijetuar kësaj situate të vështirë” – raporton agjencia “Reuters”.
Në tetor të vitit të kaluar, Fico, vetëm një ditë pas ardhjes në pushtet, ishte zotuar për ndërprerjen e dërgimit të armëve në Ukrainë.
“Unë do të mbështes zero ndihmë ushtarake për Ukrainën… Një ndërprerje e menjëhershme e operacioneve ushtarake është zgjidhja më e mirë që ne e kemi për Ukrainën. BE-ja duhet të ndryshohet nga një furnizuese armësh në paqebërëse” – kishte deklaruar Fico në tetor.
Gjatë fushatës zgjedhore, përpos ndërprerjes së ndihmave ushtarake për Ukrainën, ndër premtimet kryesore të Ficos ishte edhe kundërshtimi i sanksione të mëtejme ndaj Rusisë.
Qeveria paraprake e Sllovakisë i kishte dërguar disa pako armësh Kievit, përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore të tipit S-300 dhe aeroplanë të vjetër luftarakë të tipit MiG-29.
Ndërkohë partia kryesore opozitare në Sllovaki, Sllovakia Progresiste, anuloi një protestë të planifikuar dhe bëri thirrje për përmbajtje për ta shmangur eskalimin e tensioneve. Kuvendi i Sllovakisë e pezulloi mbajtjen e seancave për kohë të pacaktuar pas plagosjes së kryeministrit.
Fico ishte edhe më parë në pushtet. Në vitin 2018, ai ishte detyruar që të jepte dorëheqje pas protestave masive të nxitura nga vrasja e kontraktuar e gazetarit Jan Kuciak, i cili ishte duke e hulumtuar korrupsionin e nivelit të lartë.