Mjekët raportojnë për gjashtë të vrarë nga zjarri izraelit në Gaza, përfshirë dy fëmijë - NACIONALE

Mjekët raportojnë për gjashtë të vrarë nga zjarri izraelit në Gaza, përfshirë dy fëmijë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Zjarri izraelit la të vrarë të paktën gjashtë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, në incidente të ndryshme në Rrin e Gazës të martën, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë.

Katër njerëz, përfshirë një djalë 3-vjeçar, Yahya Al-Malahi, u vranë nga një sulm që kishte në shënjestër një automjet të policisë në qytetin Gaza, tha Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi, e cila tha se në mesin e të vrarëve ishte një oficer policor, ndërsa nëntë kalimtarë rasti pësuan lëndime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në pjesën veriore të enklavës, afër qytetit Jabalia, zjarri izraelit e la të vrarë fëmijën 14-vjeçar, Adam Ahmed Halaa, thanë autoritetet shëndetësore dhe familja e tij.

Ushtria izraelite nuk ofroi menjëherë ndonjë koment për ndonjërin nga këto incidente.

Në spitalin më të madh të Gazës, “Al-Shifa”, të afërmit shkuan me nxitim për t’ua dhënë lamtumirën të vrarëve.

Duke e mbajtur të birin e tij të vogël në krahë, Mukhlis Al-Malahi, tha se ata po largoheshin nga dasma e një të afërmi, kur aeroplani izraelit e sulmoi automjetin e policisë.

“Iu afruam udhëkryqit të Timrazit me Nafaqin [emra rrugësh], pastaj papritmas diçka po na godiste. Ata goditën një automjet të policisë, kur ne po ecnim” – tha babai që e kishte këmishën të njollosur me gjakun e të birit.

“Cili është faji i tij? Cili është krimi i tij? Ai do të duhej të kishte veshur një kostum dasme në martesën e kushëririt të tij sot, por, në vend të tij, ai veshi një qefin të njollosur me gjak” – tha duke qarë kushëriri i tij, Hader Al-Malahi.

Në pjesën veriore të Gazës, ushtria izraelite tha se vrau një burrë që iu afrua vijës së armëpushimit me Hamasin, duke e përshkruar si militant të armatosur.

Autoritetet shëndetësore konfirmuan se një burrë ishte vrarë në atë zonë, pa dhënë hollësi./Nacionale

Lajme të ngjashme