Mjekët i akuzojnë trupat izraelite për shkatërrim të kufomave me buldozerë e mizori të tjera - NACIONALE

Mjekët i akuzojnë trupat izraelite për shkatërrim të kufomave me buldozerë e mizori të tjera

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtarët izraelitë, të cilët kishin bastisur një spital në veri të Gazës, i kanë përdhosur trupat e pacientëve të vdekur me buldozerë, kanë lënë një qen ushtarak që të kafshojë një burrë në karrocë dhe kanë qëlluar disa mjekë, edhe pasi i kishin pastruar nga dyshimet për lidhje terrori, sipas pretendimeve të stafit të spitalit dhe pacientëve.

Këto pretendime ndërlidhen me një operacion 8-ditor të ushtrisë izraelite në spitalin “Kamal Adwan” javën e kaluar, për të cilin ushtria izraelite pretendon se ishte duke u shfrytëzuar si qendër komande e kontrolli nga Hamasi, raporton televizioni CNN.

Ky televizion bisedoi me dy pjesëtarë të lartë të stafit mjekësor, me një mjek tjetër e me një pacient në spital, të cilët ofruan dëshmi mbështetëse për atë që ka ndodhur. CNN-ja gjithashtu analizoi dëshmi me video për disa prej pretendimeve.

Ato paraqesin tablo shqetësuese se si ushtria izraelite e kreu operacionin, përderisa mjekët u morën në pyetje për lidhjet e tyre me Hamasin, ndërsa stafi pati vështirësi për t’i trajtuar pacientët e ngujuar brenda objektit.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit thonë se Hamasi fsheh infrastrukturë terroriste në dhe përreth institucioneve civile në Gaza, siç janë spitalet, dhe se shënjestrimi i tyre është thelbësor gjatë operacionit për ta eliminuar Hamasin nga Rripi i Gazës. Megjithatë, operacionet izraelite janë të diskutueshme. Organizatat humanitare thonë se objektet mjekësore në Gaza po bëhen të paafta për të ofruar shërbime elementare.

Në mesin e pretendimeve më serioze në lidhje me operacionet e ushtrisë izraelite në spitalin “Kamal Adwan” është që, përderisa trupat po largoheshin nga kompleksi i spitalit, ato përdorën buldozerë për të nxjerrë nga dheu trupa që ishin varrosur rishtazi në varre të improvizuara në oborrin e spitalit.

“Ushtarët i hapën varret këtë mëngjes dhe i tërhoqën trupat me buldozerë, pastaj i shtypën trupat me buldozerë”- tha shefi i shërbimeve pediatrike në spital, Hossam Abu Safiye, përmes një interviste me telefon të shtunën. “Kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë”- shtoi ai.

videot dhe fotografitë që ai i ndau me televizionin shihen mbetje të dekompozuara njerëzore, të shpërndara në mbarë oborrin e spitalit.

Ky pretendim u mbështet nga shefi i infermierëve të spitalit, Eid Sabbah, dhe nga infermierja Asmaa Tanteesh.

“Trupat jashtë, në oborr, u pluguan para syve tanë. Përderisa ne po u bërtisnim atyre, bërtitjet tona ranë në veshë të shurdhër”- tha infermierja Tantesh.

pamje satelitore të bëra më 15 dhjetor – pak para tërheqjes së ushtrisë izraelite nga zona e spitalit – shihet terreni i rrafshuar jashtë kompleksit.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk i adresuan drejtpërdrejt këto akuza, kur u kontaktuan për koment nga televizioni CNN, por pranuan se kishin kryer një operacion në spital. “Trupat kapën 80 terroristë, disa prej të cilëve morën pjesë në masakrën mizore të 7 tetorit”- thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite për televizionin amerikan.

Në lidhje me këto veprime të ushtrisë izraelite raportoi javën e kaluar edhe televizioni "Al Jazeera". Për ta lexuar artikullin e Nacionales, klikoni KËTU.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme