Mitsotakis: Beteja e Ukrainës pikë kthese në Evropë, Turqia ka sjellje agresive - NACIONALE

Mitsotakis: Beteja e Ukrainës pikë kthese në Evropë, Turqia ka sjellje agresive

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kryeministri i Greqisë, ka thënë të martën se lufta e Rusisë në Ukrainë është një “pikë kthese” në Evropë, duke kërkuar shmangjen e çdo lloj rezultati që mund të inkurajojë agresionin nga kombet e tjera.

Greqia, ka mosmarrëveshje të shumta me Turqinë, të tilla që gjysmë shekullin e fundit i sollën të dy vendet tre herë në prag të luftës, në të njejtën kohë Greqia ka shprehur një mbështjetje të fortë për Ukrainën kundër pushtimit rus.

“Beteja e Ukrainës nuk është vetëm një ngjarje tjetër në skenën ndërkombëtare. Është një pikë kthese në rrjedhën e Evropës”, ka thënë kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë.

“Ne i detyrohemi sot Ukrainës që të shmangim çdo lloj fakti të kryer që mund të imitohet nesër nga shkaktarë të rinj të mundshëm të telasheve”, tha ai, duke bërë të ditur se i referohej "sjelljes së vazhdueshme agresive të Turqisë".

Edhe pse mosmarrëveshjet prej dekadash midis dy anëtarëve të NATO-s kanë të bëjnë më shumë me pretendimet territoriale në Detin Egje dhe të drejtat e eksplorimit të energjisë në Mesdheun lindor, grindjet e fundit të tyre janë fokusuar në ishujt grekë pranë brigjeve të Turqisë.

Është Ankaraja ajo që e akuzon Athinën për mbajtjen e një pranie ushtarake atje, duke thënë se është duke shkelur traktate, ndërkohë që Greqia kundërshton se po vepron kundër ligjit ndërkombëtar dhe thotë se është duke mbrojtur ishujt e saj përballë armiqësisë turke.

Kryeministri grek tha se vendi i tij “po i mbante dyert e mbyllura ndaj kërcënimeve," por “dritaret e hapura për kontakte paqësore”.

Kujtojmë se, të premten e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan akuzoi Greqinë për shkelje të hapësirës ajrore të saj – akuza që zakonisht vijnë nga Greqia drejt Turqisë.

Presidenti turk po ashtu bëri të ditur se liderët e shumë vendeve të NATO-s ishin përpjekur t’i “pajtonin” më Mitsotakis, por u shpreh se për momentin nuk është duke e menduar një gjë të tillë, duke lënë mundësinë që kjo çështje të vlerësohet në të ardhmen.

Lajme të ngjashme