Ministrja gjermane thotë se disa pjesë të udhëtimit në Kinë ishin më shumë se shokuese - NACIONALE

Ministrja gjermane thotë se disa pjesë të udhëtimit në Kinë ishin më shumë se shokuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të mërkurën i përshkroi disa pjesë të udhëtimit të saj në Kinë si “më shumë se shokuese” dhe tha se Pekini po bëhet gjithnjë më shumë një rival sistematik më shumë sesa një partner e konkurrent tregtar.

Deklarata e hapur e saj erdhi pas vizitës në Pekin javën e kaluar, ku paralajmëroi se çfarëdo përpjekje e Kinës për ta kontrolluar Tajvanin do të ishte e papranueshme, raporton agjencia “Reuters”.

Kryediplomatja gjermane tha se Kina dëshiron që t’i ndjekë rregullat e veta në kurriz të rendit ndërkombëtar të mbështetur në rregulla. Në anën tjetër, Pekini kërkoi nga Berlini që ta përkrahë “ribashkimin” e Tajvanit me Kinën dhe tha se Kina e Gjermania nuk janë armike, por partnere.

Duke folur në dhomën e ulët të Kuvendit të Gjermanisë të mërkurën për udhëtimin e saj në Kinë, zonja Baerbock tha se “një pjesë e tij ishte vërtet më shumë se shokues”.

Ajo nuk përmendi gjëra të saktësuara, por ky koment erdhi, pasi ministrja tha se Kina po bëhet gjithnjë më shtypëse brenda saj si dhe më agresive jashtë.

Baerbock-u tha se për Gjermaninë, Kina është partnere, konkurrente dhe rivale sistematike, por se përshtypja e saj tani është që “aspekti i rivalëve sistematikë është duke u rritur gjithnjë më shumë”.

Ministrja tha se Kina është partnerja më e madhe tregtare e Kinës, por se kjo nuk nënkupton që Pekini është, gjithashtu, partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë.

Qeveria gjermane dëshiron që të punojë me Kinën, por nuk do që t’i përsërisë gabimet e së kaluarës, për shembull nocionin e “ndryshimit përmes tregtisë”, tha ajo, që Perëndimi mund të arrijë ndryshime politike në regjime autoritare përmes tregtisë.

Zyrtarja e lartë tha se Kina ka përgjegjësi për të punuar drejt paqes në botë, sidomos duke e shfrytëzuar ndikimin e saj ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Ajo e mirëpriti premtimin e Pekinit për të mos e furnizuar Rusinë me armë, përfshirë prodhimet për përdorim të dyfishtë, edhe pse shtoi se Berlini do të shikojë se si do të zbatohet ky premtim në praktikë.

Lajme të ngjashme