Kryediplomatja gjermane thotë se Evropa s'duhet t'i mbyllë sytë para tensioneve Kinë – Tajvan
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të enjten se Evropa nuk duhet t’i mbyllë sytë para tensioneve mes Kinës dhe Tajvanit, sepse një eskalim ushtarak në atë rajon do të ishte “skenar me rastin më të keq” për ekonominë globale.
Duke folur gjatë një vizite në Kinë, kryediplomatja gjermane pati ton tjetër në krahasim me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili javën e kaluar paralajmëroi se Bashkimi Evropian nuk duhet “të zihet në kriza që nuk janë tonat”, duke iu referuar Tajvanit, raporton agjencia “Reuters”.
“Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë ekonomikisht të brishtë, që do të thotë se ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj tensioneve në Ngushticën e Tajvanit”- tha zonja Baerbock gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar kinez, Tianjin.
Komentet e Macronit kanë nxitur reagime në Evropë dhe në ShBA, pasi janë perceptuar si marrje e një pozicioni të dobët për çështjen e Tajvanit dhe dhuratë për atë që analistët e kanë quajtur qëllim i Pekinit për ta zhbërë unitetin transatlantik.
Si rezultat, pesha e vizitës së Baerbock-ut në Kinë është rritur. Shumë anëtare të BE-së po shpresojnë që Gjermania do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të përcaktuar një linjë të qartë e të bashkuar të BE-së ndaj Kinës.
“Pesëdhjetë për qind e tregtisë globale kalon nëpër Ngushticën e Tajvanit, 70 për qind e gjysmëpërçuesve kalon nëpër Ngushticën e Tajvanit, prandaj kalimi i lirë është edhe në interesin tonë ekonomik”- theksoi ministrja gjermane.
“Një eskalim ushtarak në Ngushticën e Tajvanit... do të ishte skenar i rastit më të keq globalisht dhe do të na prekte ne si njëri ndër kombet më të mëdha industriale në veçanti”- shtoi ajo, duke iu referuar Gjermanisë, ekonomisë më të madhe në Evropë.
