Ministria palestineze: Numri i të vrarëve në Gaza ka shkuar në mbi 9.400
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të shtunën se numri i njerëzve të vrarë në Gaza nga sulmet izraelite nga 7 tetori ka shkuar në 9 mijë e 425.
Përpos të vrarëve, kjo ministri tha se gjatë kësaj periudhe të luftës janë lënduar 24 mijë njerëz, raporton televizioni CNN.
Sipas raportit të kësaj ministrie, gati 73 për qind e rasteve fatale janë në mesin e grupeve të ndjeshme, përfshirë fëmijët, gratë dhe të moshuarit.
Shifrat e viktimave hartohen nga burime brenda Gazës, enklavë që kontrollohet nga Hamasi.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve që u raportua të shtunën është për 270 më i lartë se shifra e raportuar nga kjo ministri një ditë më parë, ndërsa numri i të lënduarve për rreth një mijë persona më i madh.
Izraeli po i vazhdon rrethimin e bombardimin e Gazës pas sulmit nga militantët e Hamasit më 7 tetor, kur në jug të vendit u vranë rreth 1.400 njerëz e mbi 200 të tjerë u morën peng.
Qeveria Izraelite është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin dhe deri më tani i ka refuzuar thirrjet për armëpushim nga organizatat e huaja e nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të premten madje e refuzoi edhe thirrjen për pauzë në luftime nga kryediplomati amerikan, Antony Blinken, duke thënë se do të refuzohet çfarëdo armëpushimi i përkohshëm që nuk e përfshin lirimin e mbi 240 pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

