Ministri Katz i Izraelit planifikon që tërë popullsinë e Gazës ta vendosë në një kamp në Rafah
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, thotë se e ka udhëzuar ushtrinë e vendit të tij që të përgatisë një plan për ta vendosur tërë popullsinë e Gazës në një kam në jug të enklavës, thuhet në raportimet e mediave izraelite.
Katzi u tha gazetarëve të hënën se dëshiron që të ndërtojë një “qytet humanitar” në rrënojat e qytetit Rafah për të strehuar fillimisht rreth 600 mijë palestinezë dhe në fund tërë popullsinë prej 2,1 milionë banorësh, raporton televizioni BBC.
Ai tha se qëllimi i planit është që njerëzit të sillen brenda pas kontrolleve të sigurisë për të garantuar që ata nuk janë operativë të Hamasit dhe se atyre nuk do t’u lejohet largimi.
Katzi shtoi se, nëse kushtet lejojnë, ndërtimi do të fillojë gjatë armëpushimit 60-ditor për të cilin Izraeli dhe Hamasi po mundohen të arrijnë marrëveshje.
Një avokat izraelit i të drejtave të njeriut e kritikoi planin, duke thënë se ai nuk është asgjë më pak se “plan operacional për një krim kundër njerëzimit”.
“Ai ka të bëjë tërësisht me transferimin e popullsisë në skajin jugor të Rripit të Gazës në përgatitje për dëbim jashtë enklavës” – i tha Sfardi gazetës “The Guardian”.
Kombet e Bashkuara gjithashtu kanë paralajmëruar më parë se dëbimi ose transferimi me forcë i popullsisë civile të një territori të pushtuar është i ndaluar rreptësisht me të drejtën humanitare dhe “i barasvlershëm me spastrimin etnik”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Autoriteti Palestinez.
Më vonë të hënën, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, foli për propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, që ShBA-ja ta marrë nën kontroll Gazën pas luftës dhe ta zhvendosë në mënyrë të përhershme diku tjetër popullsinë e saj.
“Mendoj se presidenti Trump ka një vizion të shkëlqyeshëm. Quhet zgjedhje e lirë. Nëse njerëzit duan të rrinë, mund të rrinë, por nëse duan të largohen, duhet të kenë mundësi të largohen.”
“Ne jemi duke punuar me Shtetet e Bashkuara shumë ngushtë për të gjetur shtete që do të kërkojnë ta realizojnë atë që ato gjithmonë e thonë – se duan t’u japin palestinezëve një të ardhme më të mirë” – shtoi ai.
Trumpi tha: “Ne kemi pasur bashkëpunim të mrekullueshëm nga… shtetet përreth, bashkëpunim të mrekullueshëm nga secili prej tyre. Pra, diçka e mirë do të ndodhë.”/Nacionale