Ministri izraelit: Mund të jetë e justifikuar të lihen dy milionë banorë të Gazës të vdesin urie, por s’na lë bota
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, ka lënë të kuptohet që beson se bllokimi i ndihmave humanitare për në Rripin e Gazës është “i jusitifikuar dhe moral”, edhe nëse kjo do ta shkaktonte vdekjen e dy milionë civilëve nga uria, duke shtuar, megjithatë, se komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë që kjo të ndodhë.
“Ne po fusim ndihma, sepse nuk ka [tjetër] zgjedhje” – tha ky ministër në një konferencë në Yad Binyamin të organizuar nga medium izraelit, “Hayom”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ne nuk mundemi, në realitetin e tanishëm global, të menaxhojmë një luftë. Askush nuk do të na lërë ne që ta shkaktojmë vdekjen e dy milionë civilëve nga uria, edhe pse kjo mund të jetë e justifikuar dhe morale derisa të kthehen pengjet tona. Humanitarja në këmbim të humanitares është moralisht e justifikuar, por çfarë mund të bëjmë ne? Ne sot jetojmë në një realitet të caktuar, na nevojitet legjitimiteti ndërkombëtar për këtë luftë” – shtoi ai.
Ministri argumentoi se Izraeli duhet ta rimarrë kontrollin e plotë të asaj se çfarë hyn saktësisht në Rripin e Gazës, duke thënë se e kundërshton qëndrimin e ushtrisë dhe të ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për këtë çështje.
“Unë nuk di nëse kryeministri nuk dëshiron luftë ose nuk po ia del që t’i frenojë ata” – tha më tej Smotrich, duke shtuar se plaçkitja e ndihmave nga Hamasi është “faktori kryesor” që po e zgjat luftën.
Sipas tij, nëse Izraeli nuk do të ishte tërhequr nga Gaza më 2005, sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe se e mbështet rivendosjen e Izraelit në enklavë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se është jorealiste që Izraeli të rivendoset në Gaza. Qëndrimi i tij i ka zemëruar aleatët e të djathtës ekstreme.