Ministri izraelit: Do të hyjmë në Rafah edhe nëse prishemi me ShBA-në dhe krejt bota del kundër
Izraeli do ta marrë kontrollin e qytetit Rafah të Gazës, edhe nëse ky veprim shkakton çarje me Shtetet e Bashkuara, tha të enjten ministri i Çështjeve Strategjike i Izraelit, Ron Dermer.
Kryeminsitri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar për t’i siguruar evakuimin e civilëve dhe ndihmat humanitare – masa për të cilat ndihmës të lartë izraelitë pritet të diskutojnë në Shtëpinë e Bardhë ditëve të ardhshme, me kërkesën e presidentit amerikan, Joe Biden, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ne kemi goxha besim se mund ta bëjmë këtë në një mënyrë që do të ishte efektive – jo vetëm ushtarakisht, por edhe në anën humanitare dhe ata kanë më pak besim se ne mund ta bëjmë këtë” – tha ministri Dermer.
Ish-ambasadori i Izraelit në ShBA tha se vendi i tij do t’i dëgjojë idetë e amerikanëve për Rafahun, por se qyteti në kufirin e Gazës me Egjiptin do të merret nën kontroll, pati apo nuk pati marrëveshje me aleatët.
“Kjo do të ndodhë, edhe nëse Izraeli detyrohet që të luftojë vetëm. Edhe nëse tërë bota i kthehet Izraelit, përfshirë ShBA-në, ne do të luftojmë derisa beteja të fitohet... dhe për këtë arsye është aq e fortë vendosmëria për t’i eliminuar ata [Hamasin], edhe nëse kjo çon te një prishje me ShBA-në” – shtoi ministri izraelit.
Dermeri tha se në Rafah ndodhen katër batalione të paprekura të Hamasit, të fuqizuara nga luftëtarë që ishin tërhequr nga pjesë të tjera të Gazës, duke përbërë 25 për qind të fuqisë së grupit para luftës.
“Nuk do të lëmë në vend asnjë qoshe të tyre. Ne do të futemi në Rafah, sepse jemi të detyruar... dhe mendoj se ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është që 7 tetori është moment ekzistencial për Izraelin” – tha më tej ministri izraelit.