Ministri gjerman thotë se rrjedhja e telefonatës te rusët ndodhi nga një gabim individual - NACIONALE

Ministri gjerman thotë se rrjedhja e telefonatës te rusët ndodhi nga një gabim individual

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se përmbajtja e një takimi të oficerëve të lartë të forcave ajrore gjermane u sigurua nga burimet ruse pas një “gabimi individual”.

Sipas tij, përmes një hetimi është përjashtuar mundësia që një spiun rus të ketë marrë pjesë në telefonatë pa u vërejtur, raporton televizioni BBC.

Pistoriusi tha se telefonata kishte rrjedhë, pasi një pjesëmarrës kishte telefonuar përmes një linje të pasigurt dhe kjo ia bëri të mundshme Rusisë ndërhyrjen në bisedë.

Në incizim, katër oficerë të lartë ushtarakë gjermanë si duket dëgjohen duke diskutuar për mundësinë që Ukraina të përdorë raketa të prodhimit gjerman, “Taurus”, për ta goditur Urën e Kerçit, e cila e lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë, të aneksuar ilegalisht nga Rusia më 2014.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vazhdimisht e ka përjashtuar mundësinë që Ukrainës t’i dërgohen raketa “Taurus”.

Pistoriusi tha se telefonata u zhvillua në një version më të sigurt të platformës “Webex”, që shfrytëzohet nga serverët ushtarakë gjermanë.

Televizioni shtetëror rus, RT, javën e kaluar publikoi një audio-incizim të takimit të oficerëve gjermanë.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të martën, ministri gjerman tha se një pjesëmarrës ishte bërë pjesë e takimit përmes një “lidhjeje të paautorizuar”, duke çuar te rrjedhja.

Ai konfirmoi se një hetim disiplinor ishte duke u zhvilluar, por la të kuptohej se nuk dëshiron që të shohë masa individuale.

“Për momentin, pasojat personale nuk janë në agjendë. Unë nuk do t’i sakrifikoj oficerët e mi më të mirë për lojërat e Putinit” – tha ministri gjerman.

Linja e pasigurt u përdor nga një oficer që ishte bërë pjesë e thirrjes nga Singapori, ku në fund të shkurtit ishte mbajtur një paradë ajrore ushtarake.

Kjo rrjedhje ka nxitur shqetësime të mëdha për sigurinë e Gjermanisë në mesin e aleatëve, përfshirë Francën dhe Britaninë.

Lajme të ngjashme