Ministri Ben-Gvir thotë se Izraeli duhet ta aneksojë Bregun Perëndimor si përgjigje ndaj urdhërarresteve të GjNP-së - NACIONALE

Ministri Ben-Gvir thotë se Izraeli duhet ta aneksojë Bregun Perëndimor si përgjigje ndaj urdhërarresteve të GjNP-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka bërë thirrje që vendi i tij ta aneksojë Bregun Perëndimor si kundërpërgjigje ndaj lëshimit të urdhërarresteve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Sipas Ben-Gvirit, Gjykata Ndërkombëtare Penale është “antisemite nga fillimi deri në fund”, ndërsa vendimi i saj “turp i pashembullt”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Kundërpërgjigjja ndaj urdhërarresteve: zbatimi i sovranitetit mbi të gjitha zonat e Judea-s dhe Samaria-s, vendbanime hebrenje në mbarë tokën” – tha ministri i njohur për qëndrime ekstreme.

Të premten, gazeta “The Times of Israel” raportoi se ministri Ben-Gvir ishte anëtari i vetëm i kabinetit izraelit që votoi kundër shtimit të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke thënë: “Unë besoj se për aq gjatë sa kemi pengje në Gaza, nuk duhet t’i japim asnjë koncesion Rripit, madje as popullsisë civile.”

Lëshimi i urdhërarresteve vjen pasi prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, kishte njoftuar më 20 maj se do të kërkonte urdhërarreste për krime të dyshuara, të lidhura me sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi dhe me kundërpërgjigjen ushtarake izraelite në Gaza.

Lajme të ngjashme