Ministrat ekstremistë izraelitë dalin kundër paktit për armëpushim në Gaza - NACIONALE

Ministrat ekstremistë izraelitë dalin kundër paktit për armëpushim në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Raportimet se Hamasi është pajtuar me një propozim të ri për armëpushim dhe lirim të pengjeve nga Gaza nxitën reagime të shpejta në Izrael. Disa e nxitën Qeverinë që të arrijë marrëveshje, por kundërshtarët e paktit – përfshirë disa anëtarë të koalicionit qeveritar – paralajmëruan kundër një veprimi të tillë.

Hamasi u ka thënë ndërmjetësve se pranon një propozim që i ishte dorëzuar grupit një ditë më parë. Sipas burimeve, propozimi përfshin një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e dhjetë pengjeve të gjalla, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Ju nuk keni mandat për të zgjedhur një marrëveshje të pjesshme” – tha në një deklaratë ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, duke iu drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu. “Gjaku i ushtarëve tanë nuk është i pavlerë. Duhet të shkojmë deri në fund. Shkatërrojeni Hamasin” – shtoi ai.

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, argumentoi se Hamasi i kishte zbutur kërkesat e veta vetëm për shkak të frikës se ofensiva e planifikuar izraelite në Qytetin Gaza do ta shkatërronte grupin.

“Hamasi është nën presion të madh për shkak të pushtimit [të planifikuar] të Gazës, sepse ai merr vesh që kjo do ta eliminojë dhe do t’i japë fund tregimit. Prandaj, po mundohet që ndalë këtë dhe ta kthejë marrëveshjen e pjesshme. Pikërisht për këtë, ne nuk mund të dorëzohemi dhe t’i japim armikut një linjë jete” – shkroi ai në rrjetin X.

“Vazhdoni deri në fund, fitoni dhe kthejini të gjitha pengjet brenda një faze” – shtoi ai, duke publikuar një shkrim të presidentit amerikan, Donald Trump, në rrjete sociale, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se e vetmja mënyrë që Hamasi t’i kthejë pengjet është nëse “konfrontohet dhe shkatërrohet”.

Lajme të ngjashme