Mijëra valixhe të humbura në aeroportet gjermane
Në mes të sezonit të pushimeve verore, aeroportet gjermane po mbushen me bagazhe që nuk u janë dorëzuar pronarëve të tyre për shkak të mungesës së stafit, njoftuan të martën agjencitë gjermane.
Disa mijëra bagazhe që humbën rrugës për tek pronarët e tyre u depozituan vetëm në aeroportin e Mynihut, siç u raportua pas hetimit nga agjencia dpa.
Në aeroportin më të madh gjerman në Frankfurt am Main, numri i valixheve që nuk iu dorëzuan pronarëve të tyre arriti në disa mijëra.
Si një nga arsyet, përveç mungesës së stafit, administrata e aeroportit të Frankfurtit flet edhe për numrin e madh të fluturimeve me vonesë.
Lufthansa, për të cilën shërben si bazë aeroporti i Frankfurtit, anuloi fluturimet shtesë deri në qetësimin e situatës me valixhet e grumbulluara.
Aeroporti i tretë më i madh në vend, ai i Duseldorfit, nuk është në gjendje të vlerësojë numrin e valixheve të humbura që ndodhen në magazinat e këtij aeroporti të Gjermanisë Perëndimore, por i referohen kompanive ajrore që mbajnë statistika për bagazhet e humbura.
Situata është e ngjashme me aeroportet më të vogla si ato në Hamburg, Hanover apo Shtutgart, të cilët janë në kufijtë e kapacitetit në periudhën aktuale të fillimit të pushimeve verore në shumë shtete federale.
Ndërkohë, kritikat për situatën kaotike në aeroportet gjermane, ku duhet të presësh me orë të tëra për dorëzimin e bagazheve si dhe kontrollet e sigurisë, nga kompanitë ajrore dhe administratat e aeroporteve i drejtoheshin pjesërisht qeverisë gjermane.
"Situata në aeroportet gjermane ishte e parashikueshme shumë kohë më parë. Pse qeverisë gjermane i duhen pesë javë për të lëshuar leje speciale për importin e punëtorëve nga Turqia", tha zëdhënësja e opozitës, Unioni Kristian Demokrat CDU/CSU, Anja Karliczek. /Nacionale/