Mes tensioneve me ShBA-në, Rusia dhe Kina nisin stërvitje ushtarake të përbashkëta
Në një shfaqje të bashkëpunimit midis Moskës dhe Pekinit, Rusia dhe Kina kanë nisur stërvitje të mëdha ushtarake që përfshijnë edhe disa vende aleate.
Sipas The Guardian, manovrat synojnë të demonstrojnë se Moska ka fuqi të mjaftueshme ushtarake për stërvitje masive edhe pse trupat e saj janë të angazhuara në luftime në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se stërvitja Vostok 2022 (Lindje 2022) do të mbahet deri më 7 shtator në shtatë poligone në lindjen e largët të Rusisë dhe Detin e Japonisë si dhe do të përfshijë më shumë se 50,000 trupa dhe 5,000 njësi armësh, duke përfshirë 140 avionë dhe 60 anije luftarake.
Poashtu u njoftua se stërvitjet do të mbikëqyren personalisht nga shefi i shtabit të përgjithshëm rus, gjenerali Valery Gerasimov dhe në to do të përfshihen trupa nga disa vende ish-sovjetike, si dhe nga Kina, India, Laosi, Mongolia, Nikaragua dhe Siria.
Ndërkohë sipas raporteve të lajmeve kineze, Pekini ka dërguar më shumë se 2,000 trupa, mbi 300 automjete ushtarake, 21 avionë dhe tre anije luftarake.
Stërvitjet e fundit tregojnë poashtu rritjen e lidhjeve të mbrojtjes midis Moskës dhe Pekinit, të cilat janë forcuar që kur presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi trupat e tij në Ukrainë më 24 shkurt.
Kujtojmë se, Kina ka refuzuar të kritikojë veprimet e Rusisë, duke fajësuar ShBA-në dhe NATO-n për provokimin e Moskës, si dhe ka dënuar sanksionet ndëshkuese të vendosura ndaj Moskës.
Nga ana tjetër, Rusia ka mbështetur fuqishëm Kinën mes tensioneve me ShBA-në që pasuan pas vizitës së në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi.
Stërvitja vie si një seri lojërash luftarake të përbashkëta nga Rusia dhe Kina në vitet e fundit, duke përfshirë stërvitjet detare dhe patrullimet nga bombarduesit me rreze të gjatë mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore. Vitin e kaluar trupat ruse u vendosën për herë të parë në territorin kinez për manovra të përbashkëta.

