Merzi thotë se është i gatshëm për postin e kancelarit të Gjermanisë - NACIONALE

Merzi thotë se është i gatshëm për postin e kancelarit të Gjermanisë

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Udhëheqësi opozitar gjerman dhe fituesi i zgjedhjeve të së dielës në ekonominë më të madhe të Evropës, Friedrich Merz, e ka shpallur fitoren dhe ka thënë se është i gatshëm për postin e kancelarit pas triumfit me votën e popullit.

“Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë. Jam gjithashtu i vetëdijshëm për nivelin e detyrës që tani shtrihet para nesh. I qasem saj me respektin më të lartë dhe e di se nuk do të jetë lehtë” – tha ai, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Bota atje jashtë nuk do të na presë ne dhe nuk do të presë bisedime të zgjatura shumë për koalicion” – shtoi ai para përkrahësve që po festonin.

Sipas rezultateve preliminare, është konfirmuar fitorja e konservatorëve, ndërsa AfD-ja e së djathtës ekstreme shënoi rritje për t’u bërë partia e dytë më e madhe në vend.

Në bazë të rezultateve, kristian-demokratët e Merzit dhe socialdemokratët e qendrës së majtë kanë fituar shumicë të kombinuar të ulëseve në legjislaturën kombëtare, pasi partitë e vogla dështuan që ta kalonin pragun zgjedhor.

Kjo ia jep Merzit mundësinë më të mirë për t’u bërë kancelar. Të dielën në mbrëmje, ai tha se shpreson që të formojë një koalicion qeveritar më së largu deri në Pashkë.

Të dielën në mbrëmje nuk ishte e qartë nëse blloku konservator do të kishte nevojë për një apo dy partnerë për të qeverisur.

Merzi tha se prioritet absolut i tij do të jetë që të “krijojë unitet në Evropë”, sidomos në kohën e zhvillimeve që po ndodhin në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi.

“Unë nuk kam fare iluzione për atë që është duke ndodhur nga Amerika. Hidhjani një shikim ndërhyrjeve të fundit në fushatën zgjedhore gjermane nga Elon Musku” – tha ai.

Merzi shtoi se “ndërhyrjet nga Uashingtoni nuk ishin më pak dramatike, drastike dhe përfundimisht mizore se ndërhyrjet që i kemi parë nga Moska”. “Pra, ne jemi nën trysni të atillë masive nga të dyja palët, saqë prioriteti im absolut tani është vërtet që të krijoj unitet në Evropë” – premtoi politikani që pritet të bëhet kancelar.

Për fitoren e tij filluan të vinin urimet, përfshirë atë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe nga udhëheqësi i së djathtës ekstreme të Austrisë, Herbert Kickl.

Në një deklaratë, Kickl tha se ngritja e së djathtës ekstreme në mbarë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara “tregon se ato forca politike që punojnë kundër interesit dhe mirëqenies së popujve të tyre po largohen nga pushteti me votë”.

“Kthesa patriotike është në shtrirje të plotë dhe nuk mund të ndalet, por vetëm të shtyhet, sepse ajo është e bazuar në dashurinë e sinqertë për atdheun, për vetë popullin, për lirinë dhe për të vërtetën” – shtoi ai./Nacionale

Lexoni edhe: Kush është Friedrich Merz dhe cilat janë sfidat kryesore që e presin?

Lajme të ngjashme