Mercenari i “Wagner”-it tregon për torturat ndaj ukrainasve: S’pendohem për asgjë - NACIONALE

Mercenari i “Wagner”-it tregon për torturat ndaj ukrainasve: S’pendohem për asgjë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ish-mercenar i grupit “Wagner” ka pranuar se ka torturuar dhe vrarë dhjetëra të burgosur ukrainas të luftës në njërin prej rrëfimeve më të hollësishme të dorës së parë për mizoritë e forcave ruse në Ukrainë.

Alexey Savichev, 49 vje­ç, ish i burgosur rus, i rekrutuar nga grupi “Wagner” në shtatorin e vitit të kaluar, i tha gazetës “The Guardian” përmes një interviste me telefon se ai ka marrë pjesë në ekzekutimet jashtëgjyqësore të të burgosurve ukrainas të luftës gjatë shërbimit të tij 6-mujor në luftimet në pjesën lindore të Ukrainës.

“Na u tha që të mos merrnim asnjë të burgosur dhe vetëm t’i qëllonim në vend”- tha Savichevi.

Në një rast, përderisa luftohej afër qytetit lindor ukrainas, Soledar, në vjeshtën e vitit të kaluar, ai tha se mori pjesë në vrasjen e 20 ushtarëve ukrainas që ishin rrethuar. “I spërkatëm me plumbat tanë. Është luftë dhe nuk pengohem për as një gjë të vetme që kam bërë atje. Nëse do të mundja, do të kthehesha atje”- tha ish-mercenari.

Sipas tij, në një rast tjetër, luftëtarët e grupit “Wagner” kanë vrarë disa dhjetëra të burgosur të lënduar ukrainas të luftës duke u hedhur granata në hendekun ku po mbaheshin, afër qytetit Bakhmut, në janar. “Ne edhe i torturonim ushtarët, nuk kishte ndonjë rregull”- tha ai.

Rrëfimi i Savichevit u publikua së pari të hënën nga grupi për të drejtat e njeriut, “Gulagu.net”, në një video të gjatë një orë e 17 minuta, ku ai u shfaq pranë një ish-luftëtari tjetër të grupit “Wagner”, i identifikuar si Azamat Uldarov, i cili tha se ai kishte vrarë civilë, përfshirë fëmijë, gjatë betejës për qytetin Bakhmut.

Uldarovi tha se bashkëluftëtarët e tij në një rast kanë vrarë një grup njerëzish që ishin strehuar në bodrumin e një blloku 9-katësh të banesave në Bakhmut, përfshirë një vajzë të vogël. “Ajo bërtiste, ishte një fëmijë i vogël, ishte pesë ose gjashtë vjeçe dhe unë e qëllova, e shtënë vrasëse. Nuk më lejohej që të lija ndokënd jashtë, a po kupton”- i tha Uldarovi Vladimir Osechkinit, drejtor i grupit “Gulagu.net”.

Gazeta “The Guardian” nuk mund t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur përshkrimet e tmerrshme të dy ish-mercenarëve, por ka parë dokumente ruse ku tregohet se Savichevi, i cili ishte dënuar për vrasje, u lëshua nga burgu në Boronezh përmes faljes presidenciale më 12 shtator.

Grupi “Wagner” ka rekrutuar dhjetëra mijëra të burgosur, përfshirë vrasës të dënuar, për të luftuar në pjesën lindore të Ukrainës. Atyre u është ofruar liria, nëse mbijetojnë për gjashtë muaj në luftime. Savichevi e kompletoi këtë periudhë më 12 mars.

Lajme të ngjashme