Medvedev thotë se arrestimi i Putinit nga ndonjë vend do të ishte 'shpallje lufte' - NACIONALE

Medvedev thotë se arrestimi i Putinit nga ndonjë vend do të ishte 'shpallje lufte'

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të arrestuar Vladimir Putin jashtë vendit do të shihej si "një shpallje lufte".

"Le të imagjinojmë - padyshim këtë situatë që nuk do të realizohet kurrë - por megjithatë le të imagjinojmë se u realizua: kreu aktual i shtetit bërthamor shkoi në një territor, le të themi në Gjermani, dhe u arrestua. Çfarë do të ishte kjo? Do të ishte një shpallje lufte ndaj Federatës Ruse," - është shprehur ai në Telegram, raporton Deutche Welle.

Ai më tej ka shtuar se “në një rast të tillë, të gjitha asetet ruse – të gjitha raketat tona – do të fluturonin në Bundestag.”

Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), me seli në Hagë, javën e kaluar ka lëshuar një urdhër arresti për Putinin, ndërkohë Medvedev, i cili ka shërbyer si president i Rusisë nga viti 2008 deri 2012, ka bërë deklarata gjithnjë e më të ashpra për pushtimin e Ukrainës.

Lidhur me urdhërin e lëshuar për arrestimin e Putinit, Rusia, e cila nuk është palë e GjNP-së, fillimisht e ka quajtur urdhërin "të pavlefshëm", ndërsa të hënën, Komiteti Hetues i Rusisë ka hapur hetim penal ndaj kryeprokurorit të Gjykatës, Karim Khan, duke thënë se veprimet e tij mund të kenë shkelur dy ligje ruse.

Sipas tyre në këto dy ligje ruse përfshihet akuzimi i një personi të pafajshëm për një krim dhe "përgatitja e një sulmi ndaj një përfaqësuesi të një shteti të huaj që gëzon mbrojtje ndërkombëtare, në mënyrë që të ndërlikojnë marrëdhëniet ndërkombëtare".

Lajme të ngjashme