Më shumë se 200 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në një minierë në Kongo
Më shumë se 200 njerëz vdiqën të martën nga rrëshqitja e dheut që u nxit nga shiu i dendur në minierën e koltanit “Rubaya”, në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos, tha të mërkurën Ministria e Minierave.
Një zyrtar i lartë nga grupi i rebelëve AFC/M23, i cili e ka nën kontroll minierën, i tha agjencisë “Reuters” më herët se vetëm pesë ose gjashtë persona kishin vdekur në këtë aksident, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në minierën” Rubaya” nxirret rreth 15 për qind e koltanit në botë, që pastaj përpunohet dhe shndërrohet në tantal, metal që i reziston nxehtësisë dhe po kërkohet shumë nga prodhuesit e telefonave, kompjuterëve, pjesëve përbërëse të pajisjeve të aero-hapësirës dhe turbinave të gazit.
Ajo zonë, e cila është nën kontrollin e grupit rebel nga viti 2024, ishte shtuar së fundi në listën e ngushtë të aseteve që do t’u ofroheshin Shteteve të Bashkuara nga Kongoja sipas një kornize për bashkëpunim në fushën e mineraleve.
Ministria e Minierave tha se në mesin e viktimave ishin rreth 70 fëmijë dhe se shumë prej të lënduarve u evakuuan dhe u dërguan në qendra shëndetësore të qytetit Goma.
Një zëdhënës i grupit rebel M23 nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment në lidhje me numrin e të vdekurve të publikuar nga autoritetet shtetërore.
Në fund të janarit, një katastrofë tjetër në këtë minierë kishte lënë të vdekur më shumë se 200 njerëz./Nacionale