Mbi 4.800 hektarë digjen nga zjarret në Kaliforni, evakuohen më shumë se një mijë njerëz - NACIONALE

Mbi 4.800 hektarë digjen nga zjarret në Kaliforni, evakuohen më shumë se një mijë njerëz

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zjarr në natyrë të dielën në verilindje të Los Angelesit të ShBA-së e ka bërë të detyrueshëm evakuimin e mbi një mijë personave nga një zonë e njohur rekreative dhe ka djegur mbi 4.800 hektarë, thonë autoritetet.

Rreth 400 zjarrfikës me 70 kamionë e dy buldozerë po e luftojnë zjarrin “Post”, që është kufizuar për vetëm 2 për qind, sipas zjarrfikësve të Kalifornisë. Flakët po përhapen në jug të Gormanit, rreth 100 kilometra në verilindje të Los Angelesit, raporton agjencia “Reuters”.

Zjarri, që nisi të shtunën pasdite, është duke lëvizur drejt juglindjes, më pranë Pyramid Lake-it, thanë zjarrfikësit. Rreth 1.200 njerëz janë evakuuar nga një zonë rekreative, ku ka shtigje për motoçikleta dhe automjete të larta. Dy struktura janë shkatërruar deri më tani.

Zjarrfikësit thanë se përpjekjet për ta frenuar zjarrin po pengohen nga temperaturat e larta, lagështia e ulët e ajrit dhe era e fuqishme.

Aeroplanët për hedhje të ujit po përdoren për ta penguar përparimin e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit po ndërtojnë vija të perimetrit në përpjekje për ta vënë flakën nën kontroll.

Lajme të ngjashme