Mbetjet nga raketa e pakontrolluar kineze bien mbi Oqeanin Indian
Për të nisur një pjesë të stacionit të saj hapësinor në orbitë, Kina përdori një raketë të madhe të cilës nuk mundi t’i kontrollojë rihyrjen e saj në atmosferë. Kjo ishte hera e tretë e përdorimit të një rakete të tillë.
Sipas Komandës Hapësinore të ShBA-së, mbetjet nga një raketë e madhe kineze kanë rihyrë në atmosferën e tokës, duke rënë mbi Oqeanin Indian.
NYT shkruan se, rihyrja e mbetjeve nuk është konfirmuar ende nga agjencitë hapësinore kineze, dhe nuk dihet ende nëse ndonjë nga to mund të kishte goditur ndonjë zonë të populluar.
Por, mundësia, sado e vogël që ishte që mbetjet nga raketa mund të shkaktonin lëndime, i ka shtyrë njerëzit në mbarë botën të gjurmonin trajektoren e saj për ditë të tëra.
Ndërkohë, administratori i NASA-s, Bill Nelson ka hedhur akuza ndaj Kinës ditën e shtunë, duke thënë se kjo e fundit “nuk ndau informacone specifike për trajektoren pasi raketa e tyre Long March 5B ra përsëri në Tokë".
Nelson shtoi se të gjitha vendet duhet "të ndajnë këtë lloj informacioni paraprakisht për të lejuar parashikime të besueshme të rrezikut të mundshëm nga mbetjet, veçanërisht për automjetet me ngritës të rëndë, si Long March 5B, të cilat mbartin një rrezik të konsiderueshëm të humbjes së jetës dhe pronës".
Raketa të cilës iu referua Nelson ishte lëshuar të dielën e kaluar, për të dërguar në orbitë një modul laboratorik që iu shtua stacionit hapësinor të Kinës, Tiangong. Zakonisht, fazat e mëdha përforcuese të raketave kthehen menjëherë në Tokë pasi ato hidhen. Por faza kryesore prej 23 tonësh e Long March 5B shoqëroi segmentin e stacionit hapësinor deri në orbitë.
E për shkak të fërkimit me ajrin në majë të atmosferës, raketa shpejt filloi të humbiste lartësinë, duke e bërë atë që quhet "hyrje e pakontrolluar" përsëri në Tokë.
Ditët e fundit, vëzhguesit e hapësirës kishin parashikuar rihyrje të mundshme në pjesën më të madhe të planetit. Megjithatë, brenda ditës së fundit, parashikimi u bë më i saktë, edhe pse nuk ishte e sigurtë nëse do të binte mbi Oqeanin Indian, jashtë Meksikës apo në Atlantik.
Njerëzit në Sarawak, një provincë e Malajzisë në ishullin Borneo, raportuan pamjet e mbetjeve të raketës në mediat sociale, me shumë njerëz që besuan se mjetet piroteknike fillimisht ishin një shi meteorësh ose një kometë.
Debris from Chinese rocket lit up night sky some parts of Malaysia. US space command confirm the development China's Long March 5B (CZ-5B) re-entered over the Indian Ocean at approx 10:45 am MDT on 7/30.pic.twitter.com/BIkjamFbTz
— Sidhant Sibal (@sidhant) July 30, 2022
Ky ishte fluturimi i tretë i Long March 5B, raketa më e madhe e Kinës.

