Marrëveshja për nëndetëset me energji bërthamore, Kina me akuza ndaj Paktit Amerikë-Britani-Australi
Pas njoftimit të ShBA-së, Britanisë e Australisë, për një marrëveshje të re për nëndetëset me energji bërthamore, Kina ka akuzuar partnerët e Aukus, duke u thënë se po ecin “në një rrugë gabimi dhe rreziku”.
Ministria e Jashtme e Kinës, ka komentuar ashpër duke thënë se pakti mes tre vendeve ka dalë nga një “mentalitet tipik i Luftës së Ftohtë”, dhe i ka akuzuar ato për shkeljen e kushteve të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT) për transferimin e uraniumit të pasuruar me armë, në një fuqi jo-bërthamore.
Zëdhënësi Wenbin Wang ka thënë se: "Deklarata e fundit e përbashkët e lëshuar nga SHBA, Britania e Madhe dhe Australia tregon se të tre vendet kanë shkuar më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme për interesat e tyre vetjake gjeopolitike, duke injoruar plotësisht shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar”.
Dihet që sipas marrëveshjes së Aukus, që ka për synim të kundërshtojë vendosmërinë ushtarake në rritje të Kinës në Paqësor, Australia do të pranojë nëndetëset e saj të para me energji bërthamore, dhe do t’i sigurojë Marinës Mbretërore zëvendësime për shtatë nëndetëset e saj Astute, duke dyfishuar potencialisht madhësinë e flotës së anijeve sulmuese.
Ndërkohë, zëdhënësi kinez ka shtuar se ky pakt, “vetëm do të motivojë një garë armatimi, do të dëmtojë regjimin ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore dhe do të dëmtojë stabilitetin dhe paqen rajonale”.
Megjithatë këto akuza janë hedhur poshtë nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili ka thënë se “nëndetëset do të jenë me energji bërthamore, e jo me armë bërthamore."
Deri më tani, asnjë palë në Traktatin e Mospërhapjes bërthamore (NPT) përveç Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë dhe Francës - nuk ka pasur nëndetëse me energji bërthamore. Ndërsa tani furnizimi edhe i Australisë me to ka sjellë pikëpyetje edhe për Kremlinin që ka thënë se “bota ka nevojë për transparencë të veçantë dhe ne duhet t'u përgjigjemi pyetjeve që lindin në lidhje me përhapjen bërthamore.”
