ShBA-ja, Britania e Australia arrijnë marrëveshje për projektin e nëndetëseve bërthamore
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë zbuluar hollësi të planit të tyre për të krijuar një flotë të re të nëndetëseve me energji bërthamore, me qëllim të ballafaqimit me ndikimin e Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.
Sipas paktit Aukus, Australia do të furnizohet me nëndetëset e para me energji bërthamore – të paktën tri – nga Shtetet e Bashkuara. Aleatët do të punojnë për të krijuar edhe një flotë të re përmes përdorimit të teknologjisë më të lartë, përfshirë reaktorët britanikë të prodhuesit “Rolls-Royce”, raporton televizioni BBC.
Kina tha se kjo marrëveshje “i dëmton paqen dhe stabilitetin”. Misioni i këtij shteti në OKB i akuzoi aleatët perëndimorë për hapa pas në përpjekjet kundër pasurimit të armëve bërthamore.
Megjithatë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se qëllimi i marrëveshjes është fuqizimi i paqes në rajon dhe theksoi se nëndetëset do të jenë “me energji bërthamore, jo të armatosura me armë bërthamore”.
Duke folur pranë kryeministrave të Britanisë e Australisë, Rishi Sunak e Anthony Albanese, në Kaliforni, Bideni tha se kjo marrëveshje nuk do ta vërë në rrezik zotimin e Australisë për të qenë shtet pa armë bërthamore.
Nëndetëset e reja do të mund të opertojnë më larg e më shpejt se flota e nëndetëseve me naftë dhe Australia për herë të parë do të mund të kryejë sulme me rreze të gjatë kundër armiqve.
Sipas marrëveshjes, detarët australianë do të dërgohen në Shtetet e Bashkuara e në Britani, në bazat e nëndetëseve të këtyre shteteve, nga ky vit për të mësuar se si t’i përdorin nëndetëset që lëvizin me energji bërthamore.
Nga viti 2027, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të vendosin një numër të vogël të nëndetëseve bërthamore në Perth të Australisë Perëndimore para se ky shtet të blejë tri nëndetëse amerikane në fillimin e dekadës së ardhshme, me mundësi për të blerë edhe dy shtesë.

