Marrëveshja për minerale ishte fillimisht ide e Ukrainës, thotë një këshilltar ukrainas - NACIONALE

Marrëveshja për minerale ishte fillimisht ide e Ukrainës, thotë një këshilltar ukrainas

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Yuri Sak, këshilltar në Ministrinë e Industrive Strategjike të Ukrainës, ka folur në Radio BBC 4 rreth raportimeve për arritjen e një marrëveshjeje mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara për mineralet e rralla ukrainase. Sipas tij, një pakt për mineralet kishte qenë fillimisht ide e Ukrainës.

“Ne e përfshimë atë në planin tonë të fitores më herët, i cili ishte paraqitur nga presidenti ynë te ShBA-ja dhe pjesa tjetër e partnerëve tanë më 2024” – tha Sak, raporton televizioni BBC.

Kur u pyet se si e sheh zhvendosjen drejt një marrëdhënieje më transaksionale mes Shteteve të Bashkuara e Ukrainës, këshilltari ukrainas tha: “Ne do të qëndrojmë pragmatikë.”

“Shumë shpejt do të mësohemi me natyrën shumë të pazakontë të këtij procesi negociues. Në të njëjtën kohë, ne nuk jemi komb i parazitëve, ne kuptojmë se kjo luftë ka zgjatur për tre vjet dhe ka ardhur koha që të kalohet në një narrativë pak më ndryshe” – deklaroi Sak.

Sipas tij, marrëveshja për mineralet nuk është saktësisht ajo që Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina e kanë dëshiruar, por se ajo është “mjaftueshëm e mirë që procesi negociues të lëvizë përpara”.

“Shumë gjëra që nuk na pëlqyen neve janë hequr” – tha Sak, duke shtuar se diskutimet për garancitë e sigurisë duhet të vazhdojnë, përcjell gazeta "Nacionale".

“Nuk ka kuptim që të nënshkruhet asnjë marrëveshje për mineralet kritike, nëse rusët mund të ripushtojnë një muaj pas nënshkrimit të paktit” – shtoi këshilltari ukrainas.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Uashingtoni nuk i ka ofruar Ukrainës garanci të vendosura të sigurisë si pjesë e marrrëveshjes për mineralet.

Mineralet kritike “janë themeli i ekonomisë së shekullit XXI”, thotë Dr. Robert Muggah nga kompania konsultuese për rreziqe gjeopolitike “SecDev” më seli në Kanada.

Ato janë kyçe për energjinë e ripërtëritshme, zbatimet ushtarake e infrastrukturën industriale dhe luajnë “rol strategjik në rritje në gjeopolitikë dhe gjeoekonomi”, thotë ai.

Kievi vlerëson se rreth 5 për qind e rezervave botërore të “materialeve të para kritike” ndodhen në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për marrëveshje rreth këtyre burimeve, sepse duan që ta zvogëlojnë varësinë nga Kina, e cila kontrollon 75 për qind të rezervave botërore të mineraleve të rralla, sipas Grupit Investues Gjeologjik.

Në dhjetor, Kina e ndaloi eksportimin e disa mineraleve të rralla në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vitin paraprak e kishte kufizuar eksportimin e mineraleve në ShBA./Nacionale

Lajme të ngjashme