Malaziasit janë kombi më i gjatë në botë, i lënë prapa holandezët - NACIONALE

Malaziasit janë kombi më i gjatë në botë, i lënë prapa holandezët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Holandezët janë njerëzit më të gjatë në Tokë, apo? E pasaktë. Sipas një studimi të ri, banorët e Alpeve Dinarike – vargmale që shtrihen në disa vende të ish-Jugosllavisë – janë më të gjatë. Të dhënat e reja tregojnë se vendi i vogël, Mali i Zi, mund t’i ketë tashmë njerëzit më të gjatë në botë.

Shkencëtarët e Universitetit Masaryk në Bërno të Çekisë dhe të Universitetit të Malit të Zi në Nikshiq i kanë paraqitur dallimet e gjatësisë trupore në ish-Jugosllavi dhe Shqipëri, shkruan "Big Think".

Sipas të dhënave të tyre, djemtë 18-vjeçarë nga Mali i Zi janë tash për tash më të gjatit në botë (me mesatare prej 182.9 centimetrash), duke ua kaluar edhe bashkëmoshatarëve të tyre holandezë (me mesatare prej 182.4 centimetrash).

Sidoqoftë, djemtë 18-vjeçarë janë mesatarisht shumë të gjatë edhe në Dalmaci, rajon jugor i Kroacisë. Mesatarja e gjatësisë së tyre është 183.7 centimetra. Në Hercegovinë, mesatarja është 183.4 centimetra. Në një rrip të ngushtë që e lidh Dalmacinë me pjesën qendrore të Malit të Zi, mesatarja është mbi 184 centimetra.

Megjithatë, ndryshe nga Mali i Zi, Dalmacia dhe Hercegovina janë pjesë të shteteve më të mëdha – Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës – që kanë mesatare më të ulët të gjatësisë.

Në Shqipëri, gjatësia mesatare e njerëzve është më e ulët se në Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnjë. Kjo është kryesisht për shkak të historisë së gjatë të izolimit dhe privimit të stilit të Koresë Veriore, që zgjati nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në rënien e komunizmit (vitet e nëntëdhjeta).

Me përmirësimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri në tri dekadat e fundit, njësoj është rritur edhe gjatësia mesatare e banorëve.

Së shpejti, meshkujt e ushqyer mirë në Hercegovinë dhe Dalmaci mund ta arrijnë gjatësinë prej rreth 190 centimetrash. Po për malaziasit? “Duke gjykuar nga matjet e rekrutëve në kryeqytetin Podgoricë gjatë viteve të gjashtëdhjeta, gjatësia e burrave malazias është rritur për 1.7 centimetër për dekadë”, thuhet në studim.

Holandezët janë në krye të listës së “indeksit të proteinave”, matje mes sasisë ditore të proteinave nga mishi i derrit, bulmeti dhe gruri, që është parashikuesja më e fuqishme e gjatësisë. Ky indeks në përgjithësi është ende shumë i ulët në Ballkanin Perëndimor./Nacionale

Lajme të ngjashme