Malajzia do t’i dënojë me burgim ata që kapen me orë me shenja të LGBT-së
Qeveria e Malajzisë tha të enjten se të gjitha produktet e prodhuesit zviceran të orëve, “Swatch”, të cilat përmbajnë elemente me të cilat identifikohet komuniteti LGBT – përfshirë orët, mbështjellësit dhe kutitë – ndalohen, duke paralajmëruar se kushdo që gjendet me një të tillë mund të dënohet me burgim deri në tre vjet.
Ky vendim është publikuar në Gazetën Federale, që do të thotë se është masë zyrtare, si pjesë e një ligji për botime, ku përfshihen shpërndarja dhe posedimi, duke e përmendur shqetësimin se produkte të tilla janë të dëmshme për moralin e kombit, raporton agjencia “Associated Press”.
Malajzia, shtet me popullsi kryesisht myslimane, tashmë e ka ndaluar marrëdhënien mes personave të gjinisë së njëjtë me dënime deri në 20 vite burgim për sodomi, sipas ligjeve të periudhës kolonialiste.
Në maj, autoritetet i bastisën dyqanet e kompanisë “Swatch” dhe konfiskuan më shumë se 160 orë nga koleksioni “Krenaria”. Disa prej orëve kanë ngjyra ylberi, ndërsa të tjerat mund të zgjidhen nga gjashtë ngjyra të posaçme që ndërlidhen me flamurin e komunitetit LGBT.
Prodhuesi zviceran e ka kundërshtuar akuzën se orët e tij janë të dëmshme, duke thënë se ato bartin porosi të paqes e dashurisë. Kjo kompani e ka paditur qeverinë filipinase për dëme dhe për kthimin e orëve.
Ministria e Brendshme tha përmes një deklarate se këto produkte janë “të dëmshme, ose me mundësi të dëmshme, për moralin, interesin publik dhe interesin kombëtar përmes promovimit, përkrahjes dhe normalizimit të lëvizjes LGBTQ, e cila nuk është e pranuar nga publiku i përgjithshëm”.
Kushdo që kapet me posedim të produkteve të tilla, ballafaqohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë deri në 20 mijë ringitë (4,375 dollarë).
