Këngëtari britanik e puth në skenë shokun e bandës, Malajzia e ndërpret festivalin - NACIONALE

Këngëtari britanik e puth në skenë shokun e bandës, Malajzia e ndërpret festivalin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Malajzisë e ndali një festival muzikor në kryeqytetin Kuala Lumpur të shtunën, një ditë pasi këngëtari i bandës muzikore britanike, “The 1975”, puthi një shok të grupit në skenë dhe i kritikoi ligjet e këtij shteti kundër komunitetit LGBT.

“Nuk do të ketë kompromis ndaj asnjë pale që i sfidon, i nënçmon ose i shkel ligjet malajziase”- tha në një shkrim të publikuar në rrjetin “Twitter” ministri i Komunikimeve, Fahmi Fadzil, pasi ishte takuar me organizatorët e festivalit “Good Vibes Festival”, që ishte planifikuar të zgjaste tri ditë, deri të dielën.

Kësaj bande muzikore i është ndaluar performimi në Malajzi, tha një komision qeveritar që i mbikëqyr performancat e të huajve në kinematografi dhe performanca të tjera.

Homoseksualiteti është krim në këtë shtet me shumicë myslimane. Grupet për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar për rritje të mungesës së durimit ndaj njerëzve të komunitetit LGBT, raporton agjencia “Reuters”.

Në disa video të publikuara në rrjete sociale të premten vonë, këngëtari Healy u pa duke e puthur basistin Ross MacDonald, pasi e kishte kritikuar qëndrimin e Malajzisë kundër homoseksualitetit me një fjalim para audiencës.

“Bëra një gabim. Kur ishim duke i rezervuar shfaqjet, nuk po e shikoja këtë. Nuk e shoh qëllimin e dreqit... që të ftohet grupi “The 1975” në një shtet e pastaj të na thuhet se me kë mund të kryejmë marrëdhënie intime”- tha ai.

Më vonë, ai e ndërpreu koncertin, duke thënë para turmës: “Në rregullt, duhet të shkojmë. Sapo u ndaluam nga Kuala Lumpuri, do të shihemi më vonë.”

Banda muzikore nuk ishte menjëherë e qasshme për koment. Healy ishte kritikuar për puthjen me një mashkull në një koncert më 2019 në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtet që gjithashtu ka ligje kundër homoseksualitetit, sipas raportimeve të mediave.

Lajme të ngjashme