Macroni thotë se vrasja e adoleshentit nga policia është e pafalshme - NACIONALE

Macroni thotë se vrasja e adoleshentit nga policia është e pafalshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të mërkurën e përshkroi si të pafalshme vrasjen e një adoleshenti 17-vjeçar gjatë ndaljes nga policia në trafik afër Parisit. Kjo ishte një kritikë e rrallë e presidentit ndaj forcave të rendit, pasi incidenti nxiti protesta e trazira.

Një polic është duke u hetuar për vrasje të vullnetshme pas shkrepjes së armës në drejtim të ngasësit të veturës, për të cilin prokurorët thonë se kishte dështuar që ta zbatonte urdhrin për ta ndalur veturën të hënën herët, raporton agjencia "Reuters".

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për qetësi, pasi të paktën 31 persona u arrestuan gjatë trazirave natën e kaluar, kryesisht në periferi të Parisit, në Nanterre, ku jetonte viktima. Disa të rinj dogjën vetura e hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë, e cila përdori gaz lotsjellës për t'i shpërndarë protestuesit.

"Kemi një adoleshent që është vrarë, kjo është e pashpjegueshme dhe e pafalshme. Asgjë nuk e justifikon vdekjen e një burri të ri"- tha presidenti Macron para gazetarëve në Marsej, para se t'u bënte thirrje organeve të drejtësisë që ta kryenin punën e tyre.

Në një video të publikuar në rrjete sociale e të verifikuar nga agjencia "Reuters", dy policë shihen anash një veture të tipit "Mercedes AMG", dhe njëri prej tyre e shkrep armën drejt drejtuesit të veturës, i cili ishte munduar që të ikte. Ai vdiq nga plagët, tha prokurori lokal.

Viktima vinte nga një familje algjeriane dhe quhej Nahel, thanë një fqinj dhe një i njohur i familjes.

Lajme të ngjashme