Macroni propozon që Hamasi të luftohet me koalicionin kundër ISIS-it
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën propozoi që një koalicion ndërkombëtar, që Lufton kundër ISIS-it në Siri e Irak, të zgjerohet për ta përfshirë edhe luftën kundër grupit të Hamasit në Gaza.
Duke folur në Jerusalem pranë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Macroni theksoi se Franca dhe Izraeli e kanë terrorizmin si armik të përbashkët, por dha pak hollësi për atë se si do të mund të përfshihej koalicioni që përmban dhjetëra shtete e që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.
“Franca është e gatshme që koalicioni ndërkombëtar kundër Daesh-it (ISIS-it), në të cilin ne jemi duke marrë pjesë për operacione në Irak e Siri, të luftojë edhe kundër Hamasit”- tha para gazetarëve presidenti francez, duke premtuar se Izraeli nuk do të lihej vetëm.
Megjithatë, ai paralajmëroi kundër rreziqeve për konflikt rajonal, duke theksuar se lufta kundër Hamasit “duhet të jetë pa mëshirë, por jo pa rregulla”.
Tridhjetë shtetas francezë u vranë nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të këtij grupi në jug të Izraelit më 7 tetor.
Presidenti i fuqisë evropiane, që u takua me familjet e viktimave franceze në aeroportin e Tel-Avivit, tha se lirimi i nëntë pengjeve franceze është prioritet i parë për Francën. “Të gjithë ata duhet të lirohen”- tha ai.
Më herët, gjatë takimit me homologun izraelit në Jerusalem, Isaac Herzog, Macroni tha se Franca qëndron “krah për krah” me Izraelin.
