Macroni njofton se Franca do ta fillojë furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë - NACIONALE

Macroni njofton se Franca do ta fillojë furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi të martën se vendi i tij do ta fillojë furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat do t’ia mundësojnë Kievit mbrojtjen e vetes.

“Kam vendosur që t’i shtoj dërgesat e armëve dhe pajisjeve për t’u mundësuar ukrainasve që të kenë kapacitet për të sulmuar thellë, ndërkohë duke e mbajtur doktrinën tonë për ta lejuar Ukrainën që ta mbrojë territorin e vet”- citohet të ketë thënë presidenti francez para gazetarëve në samitin e NATO-s në Lituani.

Ai refuzoi që të jepte hollësi se çfarë lloji i raketave do t’i dhurohen Ukrainës dhe as nuk e tregoi sasinë e tyre, raporton gazeta “The Guardian”.

Në konferencën e tij për gazetarë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e kritikoi samitin e NATO-s në Lituani dhe e veçoi ofertën e Francës për ta furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilën e njoftoi presidenti francez më herët.

Peskovi tha se ky është një gabim i Francës dhe se Ukraina do të ballafaqohet me pasoja, sepse Rusia do të ndërmarrë kundërmasa.

Një burim jozyrtar shtypi i Kremlinit e citoi Peskovin të ketë thënë: “Këto vendime nuk mund ta prekin rrjedhën e ngjarjeve brenda operacionit special ushtarak, ato vetëm mund ta përkeqësojnë fatin e regjimit ukrainas.”

Peskovi shtoi se udhëheqësit evropian nuk duket se po kuptojnë që vendosja e infrastrukturës së NATO-s drejt kufijve të Rusisë është gabim dhe se avancimi i aleancës në Evropën Qendrore e Lindore kishte çuar në krizën e tanishme rreth Ukrainës në rend të parë, raporton gazeta “The Guardian”.

Lajme të ngjashme