Bideni në Lituani: Do të mbrojmë çdo inç të territorit të NATO-s - NACIONALE

Bideni në Lituani: Do të mbrojmë çdo inç të territorit të NATO-s

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e përsëriti përkushtimin e NATO-s ndaj Nenit 5, që e përcakton parimin se një sulm ndaj një shtetit të NATO-s është sulm ndaj të gjithë anëtarëve të saj. Ai e dha këtë koment në Vilnius të Lituanisë, ku po mbahet samiti i NATO-s.

“Ne e marrim – NATO-ja e merr – të gjithë ne e marrim Nenin 5 në mënyrë të fjalëpërfjalshme. Një inç i territorit të NATO-s nënkupton që ne të gjithë – të gjithë brenda së bashku kundër kujtdo që është duke e shkelur atë hapësirë. Do ta mbrojmë secilin inç të tij”- tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Në një paraqitje pranë homologut lituan, Gitanas Nauseda, Bideni tha se mezi e pret takimin e NATO-s me 32 shtete, duke e përfshirë edhe Suedinë, raporton televizioni CNN.

“Faleminderit, z. president, për organizimin e këtij samiti historik në një kohë të rëndësishme. Hera e parë që udhëheqësit e NATO-s, 31, do të takohen së bashku dhe mezi pres që të takohemi shumë shpejt me 32 anëtarë, duke e shtuar Suedinë”- tha presidenti amerikan në deklaratën e parë para kamerave pas lajmit se Turqia është pajtuar për ta mbështetur anëtarësimin e Suedisë në aleancë.

“Kam besim se do ta kryejmë këtë”- shtoi Bideni për anëtarësimin e Suedisë në NATO, për të cilin kërkohet procedura parlamentare në Turqi për miratimin formal të saj.

Para fillimit të samitit të martën më vonë, Bideni tha se ShBA-ja do të jetë e pranishme “për ta riafirmuar përkushtimin tonë ndaj NATO-s”.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj Lituanisë, ndaj Baltikut dhe ndaj NATO-s. Zotimi ynë për të qenë me ju nuk është lëkundur”- shtoi ai.

Presidenti Biden bëri të ditur se cilat tema do të diskutohen gjatë këtyre ditëve. “Në ditët e ardhshme, do të diskutojmë edhe për një varg çështjes: si të forcohet krahu lindor i NATO-s dhe si të modernizohen aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s dhe do ta bëjmë këtë në një vend ku ato përpjekje vërtet kanë peshë për çdo ditë të vetme” tha ai, duke shtuar se aleanca planifikon që të diskutojë edhe për përkrahjen për Ukrainën.

Lajme të ngjashme