Macroni ia shpreh Netanyahut “shqetësimin më të thellë” për numrin e viktimave civile në Gaza - NACIONALE

Macroni ia shpreh Netanyahut “shqetësimin më të thellë” për numrin e viktimave civile në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti francez, Emmanuel Macron, e shprehu “shqetësimin më të thellë” të tij për “bilancin shumë të rëndë civil dhe urgjencën absolute humanitare me të cilën po ballafaqohet popullsia civile në Gaza”.

Sipas një deklarate të Pallatit Elize për bisedën e së mërkurës, Macroni i foli Netanyahut për “domosdoshmërinë e Izraelit për t’i mbrojtur civilët” dhe “urgjencën e shpërndarjes së ndihmave të nevojshme për popullin e Gazës”, raporton televizioni CNN.

Presidenti francez e theksoi edhe “nevojën për të punuar drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, me ndihmën e të gjithë partnerëve rajonalë e ndërkombëtarë”, sipas Presidencës së Francës.

Macroni shtoi se Franca do të punojë me Jordaninë ditëve të ardhshme për të kryer operacione humanitare në Gaza.

Ai i tha kryeministrit izraelit se lirimi i të gjitha pengjeve nga Rripi i Gazës, përfshirë tre shtetas francezë, është prioritet për Francën.

Në anën tjetër, Netanyahu e njoftoi Macronin për “përpjekjen e Izraelit për ta sjellë lirimin e pengjeve” dhe kërkoi nga presidenti francez që “ta vazhdojë punën për lirimin e tyre”, sipas një deklarate të Qeverisë së Izraelit.

Macroni e theksoi “rëndësinë që Izraeli t’i bëjë të gjithë hapat e nevojshëm për t’i dhënë fund dhunës së kryer nga ardhës të caktuar kundër civilëve palestinezë, si dhe [t’i jepet fund] çfarëdo projekti të ri për vendbanime në Bregun Perëndimor, që e rrezikon zgjidhjen me dy shtete”- thuhet në deklaratën e Presidencës së Francës.

Më tej, thuhet se Macroni e ripohoi përkushtimin e Francës ndaj sigurisë së Izraelit dhe “i solli ndër mend hapat e bërë brenda kornizës së Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër Hamasit, si dhe masat e marra me partnerë ndërkombëtarë kundër grupeve terroriste që i rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Lajme të ngjashme