Macron: Fitorja e Le Pen-it do të ishte fund i BE-së, s’është koha për embargo ndaj naftës ruse
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten në një intervistë për gazetën italiane, “Corriere della Sera”, se Rusia ka shfaqur gatishmëri të qartë për ta eskaluar luftën në Ukrainë dhe se do t’i shtojë veprimet armiqësore në javët e ardhshme.
Duke folur vetëm pak ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në vendin e tij, Macron-i tha se pret që lufta të përkeqësohet në ditët para 9 majit, datë simbolike, kur Rusia e shënon si ditë të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
“Me njërin sy nga 9 Maji, Rusia do t’i shtojë sulmet e saj në lindje të Ukrainës dhe ne do të duhet që të marrim vendime”, tha presidenti francez, duke iu referuar mundësisë për sanksione të mëtejme të BE-së ndaj Rusisë, por shtoi se ende nuk është koha për embargo ndaj naftës dhe gazit rus.
“Duke i marrë parasysh krimet e luftës, që tashmë janë vërtetuar, zgjedhjet e bëra nga Rusia, mënyra se si e ka bërë luftën në Donbas dhe Mariupol, duke e marrë parasysh provokimin për (armë) bërthamore dhe testet që i kreu të mërkurën, ekziston qartazi një vullnet për eskalim nga Rusia”, shtoi ai.
Në intervistën për gazetën italiane, ai pretendoi se fitorja e mundshme e kundërshtares së tij në zgjedhje, e politikanes së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, do të nënkuptonte fund të Bashkimit Evropian dhe fund të boshtit gjermano-francez për shkak të qëndrimeve euroskeptike e pro-ruse.