Lukashenko: Ne përfitojmë që Trumpi ia tregoi vendin Zelenskyt dhe nga çarja ShBA - BE - NACIONALE

Lukashenko: Ne përfitojmë që Trumpi ia tregoi vendin Zelenskyt dhe nga çarja ShBA - BE

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha në disa komente të publikuara të mërkurën se vendi i tij dhe Rusia përfitojnë nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara po e trajtojnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe nga përçarja mes Uashingtonit e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë me Mario Nawfal-in, personalitet mediatik në rrjetin X të miliarderit Elon Musk, Lukashenkoja me entuziazëm e mbështeti presidentin amerikan, Donald Trump, dhe qasjen e tij ndaj luftës në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Është vetëm falë kësaj administrate që çështja e përfundimit të luftës është bërë kaq urgjente” – tha Lukashenkoja, i cili në janar e zgjati pushtetin e vet përmes zgjedhjeve presidenciale të cilat janë cilësuar si mashtrim nga qeveritë perëndimore.

"Ne përfitojmë që (Trumpi) ia tregoi vendin Zelenskyt, ai duhet ta dijë atë" - shtoi ai.

Lufta në Ukrainë e ka vënë Lukashenkon më afër homologut rus, Vladimir Putin, se kurrë më parë. Pushtimi rus i Ukrainës nisi pjesërisht përmes territorit të Bjellorusisë. Putini gjithashtu ka dislokuar armë bërthamore taktike ruse në Bjellorusi.

Sipas presidentit bjellorus, Trumpi nuk ka qëllime të tjera përpos përfundimit të luftërave, gjë që e quajti politikë të jashtme “të shkëlqyeshme”.

“Unë jam i gatshëm që të qëndroj pranë tij dhe të bëj gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe për ta përmirësuar jetën e njerëzve” - tha Lukashenkoja.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Bjellorusisë disa valë sanksionesh si kundërpërgjigje ndaj shtypjes dhe shkeljes së të drejtave të njeriut pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe përfshirjes së këtij shteti në agresionin rus kundër Ukrainës.

Lukashenkoja tha se përçarja që ka ndodhur rishtazi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është në interesat e Bjellorusisë.

“Le të jemi të sinqertë, kjo është e dobishme për mua, është e dobishme për ne që ShBA-ja dhe BE-ja kanë mosmarrëveshje” – tha ai.

Lajme të ngjashme