Luftanijet kineze lundrojnë përreth Japonisë, rriten tensionet para samitit të Grupit G7 - NACIONALE

Luftanijet kineze lundrojnë përreth Japonisë, rriten tensionet para samitit të Grupit G7

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një flotë e luftanijeve kineze, e udhëhequr nga luftanija e fuqishme “Lhasa”, kanë lundruar për 12 ditë përreth Japonisë për ta shfaqur fuqinë ushtarake, përderisa tensionet për Tajvanin po rriten dhe Japonia po përgatitet që t’i presë udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 javën e ardhshme.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë të enjten publikoi një hartë ku shfaqet luftanija “Lhasa”, ndër më të fuqishmet e ushtrisë kineze, duke udhëhequr një flotë prej katër anijesh, raporton televizioni CNN.

Sipas hartës së publikuar nga Japonia, lundrimi i anijeve kineze filloi më 30 prill në Ngushticën e Tsushimas, mes Koresë Jugore dhe Japonisë, vazhduan nëpër Ngushticën e Tsugarus në skajin verior të Hokkaidos më 5 dhe 6 maj, pastaj përgjatë zinxhirit të Ishujve Izu në jug të Tokios të enjten.

Në një tekst të publikuar pas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes të Japonisë të enjten, medium shtetëror kinez në gjuhën angleze, “Global Times”, e lidhi lundrimin e anijeve me “deklaratat provokuese të Japonisë rishtazi” për Tajvanin, ishull me udhëheqës demokratikë, të cilin Kina e cilëson territor të saj.

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoshimasa Hayashi, të mërkurën tha se Tokioja i kishte dërguar një shkresë proteste Pekinit për komentet e ambasadorit të Kinës se Japonia “do të tërhiqet në zjarr”, nëse Tokioja e ndërlidh Tajvanin me sigurinë e vet.

Në një intervistë për televizionin CNN, kryediplomati japonez tha të mërkurën se Japonia është në bisedime për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s – e para e këtij lloji në Azi – duke thënë se pushtimi rus i Ukrainës ka pasoja shumë më larg përtej kufijve të Evropës dhe se këto e kanë detyruar Tokion që të rimendojë për sigurinë rajonale.

Lundrimi i luftanijeve kineze u bë disa ditë para fillimit të samitit të Grupit G7 në Japoni më 19 maj. James Brown, profesor i shkencave politike në Universitetin e Tempullit në Japoni, tha se koha e aktivitetit të anijeve kineze para samitit të Grupit G7 në Hiroshima është e rëndësishme.

“Përderisa një pjesë e madhe e fokusit në Hiroshima do të jetë mbi Ukrainën, nikoqirët japonezë do të synojnë që ta lidhin këtë çështje me sigurinë në Azinë Lindore”- tha ai.

Lajme të ngjashme