Japonia në bisedime për të hapur zyrë ndërlidhëse të NATO-s, e para e këtij lloji në Azi
Japonia është në bisedime për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s, e para e këtij lloji në Azi, njoftoi kryediplomati i këtij shteti në një intervistë ekskluzive për televizionin CNN të mërkurën, duke thënë se pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë botën më pak stabile.
“Ne tashmë jemi në diskutime, por asnjë hollësi (nuk është) finalizuar ende”- tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoshimasa Hayashi.
Ai e përmendi në mënyrë specifike fillimin e pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar si ngjarje me pasoja shumë më larg kufijve të Evropës, e cila e ka detyruar Japoninë që të rimendojë për sigurinë rajonale.
“Arsyeja pse ne jemi duke diskutuar për këtë është se që nga agresioni nga Rusia ndaj Ukrainës, bota është bërë më jostabile. Diçka që është duke ndodhur në Evropën Lindore nuk është e izoluar në çështjen e Evropës Lindore dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në situatën këtu në Paqësor. Për këtë arsye, një bashkëpunim mes nesh në Azinë Lindore dhe NATO-s po bëhet... gjithnjë më i rëndësishëm”- tha ministri japonez.
Në një deklaratë për televizionin CNN javën e kaluar, një zëdhënëse e NATO-s tha: “Sa u përket planeve për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Japoni, ne nuk do të hyjmë në hollësi të diskutimeve mes aleatëve të NATO-s”. Ajo shtoi se NATO-ja dhe Japonia kanë bashkëpunim të gjatë.
Pushtimi rus i Ukrainës i ka nxitur Suedinë dhe Finlandën që të heqin dorë nga neutraliteti i tyre dhe të kërkojnë mbrojtje brenda NATO-s. Finlanda u bë anëtare e aleancës muajin e kaluar, ndërsa Suedia është ende duke pritur për shkak të disa ankesave nga Turqia.
Një zyrë e NATO-s në Tokio do të kishte jehonë të madhe, pasi lufta në Ukrainë dhe përçarjet në rritje brenda Azisë kanë ndikuar që vendet si Japonia dhe Koreja Jugore të afrohen edhe më shumë me partnerët e tyre perëndimorë.
