Lufta shpeshtohet, kriza shëndetësore për të sëmurët kronikë në Gaza thellohet
Tahreer Azzam, infermiere në spitalin “Makassed” në Jerusalemin Lindor, është kujdesuar për pacientët e rinj e të sëmurë seriozisht palestinezë për 16 vjet. Që nga shpërthimi i luftës Izrael – Hamas muajin e kaluar, ajo ka vështirësi për t’i gjetur ata.
Zakonisht, rreth 100 pacientë nga Gaza marrin kujdes mjekësor çdo ditë për nevoja të ndërlikuara shëndetësore, si trajtimi për kancer të rrallë dhe operacioni në zemër të hapur, në spitale si ai ku punon zonja Azzam, si dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor, në Izrael e në shtete të tjera, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kjo rrjedhë u ndal më 7 tetor, kur militantët e Hamasit e kaluan kufirin dhe hynë në Izrael, duke vrarë rreth 1.400 persona e duke marrë peng mbi 200 të tjerë. Izraeli vendosi rrethim të plotë në Gaza, duke e bombarduar enklavën bregdetare e duke nisur ofensivë tokësore. Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, deri më tani janë vrarë mbi 10 mijë njerëz, përfshirë mbi 4 mijë fëmijë, raporton agjencia “Reuters”.
Infermierja Azzam dhe kolegët e saj janë munduar që të arrijnë te pacientët e tyre nga fillimi i luftës, përfshirë kontrollimin e rrjetit “Facebook” për të marrë vesh nëse ata janë ende gjallë.
“Pamë një shkrim që njoftonte se njëri nga pacientët tanë fëmijë ishte vrarë nga sulmet. Ai kishte qenë në repart vetëm para një jave. Ishte 6 vjeç. Nuk mund ta harroj imazhin e tij”- tha ajo në një intervistë me agjencinë “Reuters”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po bën thirrje që më të ndjeshmit nga pacientët me sëmundje kronike të lejohen që të largohen nga Gaza për të marrë trajtim. Disa shtete kanë paraqitur gatishmëri për të marrë pacientë, përfshirë Egjiptin, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Para fillimit të luftës, rreth 20 mijë pacientë në vit kërkonin leje nga Izraeli që të largoheshin nga Rripi i Gazës për të marrë kujdes shëndetësor, shumë prej tyre duke kërkuar udhëtime të përsëritura matanë kufirit. Gati një e treta ishin fëmijë. Izraeli kishte miratuar rreth 63 për qind të këtyre kërkesave më 2022, sipas OBSh-së.
“Gjatë luftërave të kaluara, pikëkalimi mbyllej për një ose dy ditë, por pastaj pacientët mund të ktheheshin. Kjo është hera e parë që është një ndalim kaq gjithëpërfshirës ndaj lëvizjes dhe pacientët nuk mund të largohen”- tha Osama Qadoumi, mbikëqyrës në spitalin “Makassed”.
“Sa më gjatë që presim, aq më keq do të bëhen disa pacientë. Shumë njerëz do të vdesin thjesht për shkak se nuk kanë qasje në trajtim”- shtoi ai.
Shqetësimi nuk është vetëm për rastet më të ndërlikuara. Në Gaza janë 350 mijë pacientë me sëmundje kronike, përfshirë ata me kancer dhe diabet, si dhe 50 mijë gra shtatzëna, sipas të dhënave të organizatave të OKB-së.
Disa nevoja janë veçanërisht akute. Rreth një mijë pacientë në Gaza kanë nevojë për dializë për të mbetur gjallë, por 80 për qind e makinave që përdoren për ta kryer këtë proces ndodhen në spitalet lokale që janë nën urdhra evakuimi, sipas OBSh-së. Spitali i vetëm për kancer në Gaza nuk është duke punuar më. Ushtria izraelite u ka thënë civilëve që të largohen nga pjesa veriore e Gazës, ku ndodhen disa spitale, përderisa po zhvillon operacione për ta shkatërruar Hamasin. Sipas ushtrisë izraelite, Hamasi i fsheh qendrat e komandës nën spitale, edhe pse grupi e ka mohuar këtë.
