Lufta ShBA – Iran mund të jetë afër dhe mund të zgjasë me javë, thonë burimet - NACIONALE

Lufta ShBA – Iran mund të jetë afër dhe mund të zgjasë me javë, thonë burimet

7 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Një ballafaqim ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të fillojë ditëve në vijim dhe mund të jetë fushatë intensive që do të zgjaste shumë javë, thanë të mërkurën disa burime, pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme diplomatike mes Uashingtonit e Teheranit.

Ish-shefi i inteligjencës ushtarake në ushtrinë izraelite, Amos Yadlin, sugjeroi të mërkurën se një përballje e tillë mund të jetë afër, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Javën e kaluar e lejova veten që të fluturoja me aeroplan për në Konferencën e Munihut për Sigurinë. Do të mendoja dy herë për të udhëtuar [jashtë Izraelit] këtë fundjavë” – tha të mërkurën Yadlin në një televizion izraelit, një ditë pas rundit të dytë të bisedimeve bërthamore në Gjenevë.

“Jemi shumë më afër [konfliktit] se më parë, por po jua rikujtoj – një superfuqi nuk futet në luftë brenda ditësh. Është një rrugë diplomatike që duhet të shterohet” – shtoi Uadlin, i cili tani drejton një kompani këshillëdhënëse për sigurinë kombëtare.

Ai vlerësoi se shumë figura e kundërshtojnë sulmin ndaj Iranit. “Pentagoni nuk është i qartë se çfarë dëshiron të arrijë. Presidenti [Donald Trump] është shumë i vendosur. Deklarata se të gjitha opsionet janë mbi tavolinë është i mbështetur në një kërcënim të besueshëm ushtarak, i cili vjen krahas përgatitjeve afër brigjeve të Iranit dhe në qiell” – tha ish-shefi i inteligjencës ushtarake izraelite.

Burimet i thanë mediumit amerikan “Axios” të mërkurën se një luftë e mundshme ShBA – Iran do të ishte e gjatë dhe do të zgjaste shumë javë. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se gjasat për një sulm në javët në vijim janë 90 për qind.

Burimi tha se, me gjasë, do të realizohej një operacion i përbashkët ShBA – Izrael, edhe më i madh se fushata bombarduese 12-ditore e qershorit të vitit të kaluar. Sipas burimeve, lufta mund të fillojë më herët sesa që presin shumica e njerëzve dhe mund të jetë shumë më e madhe sesa që presin shumë prej tyre. Nga raketat iraniane në qershor u vranë 32 njerëz e mbi 3.000 të tjerë u plagosën në Izrael.

Një këshilltar i Trumpit tha se presidentit “po i bëhet mjaft”. “Disa njerëz rreth tij e paralajmërojnë kundër shkuarjes në luftë me Iranin, por mendoj se është gjasa prej 90 për qind që do të shohim veprim kinetik në javët në vijim” – tha ai.

Dy zyrtarë izraelit i thanë mediumit se vendi i tyre është duke u përgatitur që një luftë mund të shpërthejë “brenda ditësh”, duke shtuar se Izraeli po bën shtytje për një operacion që do ta kishte për qëllim rrëzimin e regjimit iranian./Nacionale

Lajme të ngjashme