Lufta Rusi-Ukrainë: Zhvillimet më të rëndësishme të ditës - NACIONALE

Lufta Rusi-Ukrainë: Zhvillimet më të rëndësishme të ditës

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Raportime për instruktorë iranianë të dronëve në Bjellorusi, akuza ndaj Ukrainës se do të përshkallzojë konfliktin e zhvillime të tjera me rëndësi kanë pasqyruar ditën e 242-të të luftës Rusi-Ukrainë.

Të përmbledhura shkurtimisht, Nacionale sjell në vazhdim ngjarjet më kryesore të së dielës.

  • Mediat lokale iraniane raportuan se, Irani do të furnizojë Rusinë me 40 turbina për të ndihmuar industrinë e saj të gazit mes sanksioneve perëndimore.
  • Ukraina dhe ShBA-ja denoncuan sugjerimet nga Rusia se Ukraina po përgatitej të përdorte "bombë të pistë" - gënjeshtra të rrezikshme për të ndezur konfliktin. “Nëse Rusia thërret dhe thotë se Ukraina gjoja po përgatit diçka, kjo do të thotë një gjë: Rusia e ka përgatitur tashmë të gjithë këtë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky ndaj këtyre pretendimeve. Ndërsa, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Adrienne Watson tha se: "Ne hedhim poshtë raportet për akuzat transparente të rreme të ministrit Shoigu se Ukraina po përgatitet të hedhë "bombë të pistë" në territorin rus”.
  • Sipas Kyiv Independent, forcat e operacioneve speciale të Ukrainës thanë se instruktorët iranianë të dronëve janë parë në Bjellorusi. Sipas tyre, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit po trajnon forcat ruse në Bjellorusi dhe po koordinon lëshimet e dronëve të prodhuar nga Irani.
  • Sipas autoriteteve të instaluara nga Rusia në Kherson, një person është vrarë nga një bombë e bërë vetë ."Një pajisje shpërthyese e improvizuar, e bashkangjitur në një shtyllë rruge dhe e shpërthyer nga distanca, vrau një civil nga Kherson," ka shkruar zyrtari lokal pro-rus Kirill Stremousov në mediat sociale, duke shtuar se nga shpërthimi është plagosur edhe një kalimtar.
  • Rusia u tha njerëzve në qytetin e pushtuar ukrainas të Khersonit që të ikin për të shpëtuar jetën e tyre, Në një video-mesazh, ministri rus i arsimit, Sergei Kravtsov, tha: “Situata sot është e vështirë. Është jetike për të shpëtuar jetën tuaj… Nuk do të jetë për shumë kohë. Do të ktheheni patjetër.”
  • Pas bisedimeve mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë, sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, hodhi poshtë pretendimet e bëra nga ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, se Ukraina, e ndihmuar nga qarqet perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, po planifikonte të përshkallëzonte konfliktin.
  • Shërbimi inteligjent SBU i Ukrainës tha të dielën se kishte arrestuar dy zyrtarë të prodhuesit ukrainas të motorëve të avionëve Motor Sich me dyshimin se punonin me Rusinë. SBU "arrestoi presidentin e gjigantit industrial Motor Sich. Ai dyshohet se punon me Federatën Ruse”, thuhej në një deklaratë.

Lajme të ngjashme