Lufta Rusi-Ukrainë: Zhvillimet më kryesore të ditës
Në ditën e 259 të pushtimit në Ukrainë, Rusia urdhëroi tërheqjen e trupave të saj nga qyteti i Khersonit.
Në vazhdim, Nacionale sjell një përmbledhje të shkurtër edhe të zhvillimeve të tjera më kryesore që shënuan ditën e sotme.
- Ministri i Mbrojtjes ruse, Sergei Shoigu ka urdhëruar tërheqjen e trupave ruse nga qyteti i Khersonit, i vetmi kryeqytet rajonal që Moska ka pushtuar që nga fillimi i luftës në shkurt.
- Këshilltari i lartë i presidentit ukrainas Mihailo Podolyak ka thënë se është shumë herët për të folur për tërheqjen e trupave ruse nga qyteti jugor i Ukrainës, Kherson. "Është e nevojshme të ndahen fjalët nga veprimet", ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka kuptim të flitet për tërheqje derisa flamuri ukrainas të ngritet mbi Kherson.
- Duke cituar zyrtarë të lartë, mediat shtetërore ruse kanë raportuar se zëvendësguvernatori i Khersonit, i emëruar nga Rusia, Kirill Stremousov ka humbur jetën në një aksident rrugor. Stremousov i cili ishte ukrainas ka qenë i kërkuar nga policia e Ukrainës, nën akuzat për tradhëti.
- Pas raportimeve për vdekjen e Stremousov, nga zyra e Putinit është bërë e ditur se ai është dekoruar për "guximin e treguar në krye të detyrës” me Urdhrin e Guximit, një çmim i lartë shtetëror.
- Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se zyrtarë të lartë të OKB-së do të takkohen të premten në Gjenevë me një delegacion rus për të diskutuar marrëveshjen për grurin ukrainas.
- Ministria e Jashtme e Britanisë, ka njoftuar se në luftën e Ukrainës ka humbur jetën një shtetas britanik. Është bërë e ditur se Simon Lingard ka vdekur të hënën, ndërsa u përshkrua si “një frymëzim për të gjithë ata që e njihnin" dhe "një hero i jetës së vërtetë që vdiq duke luftuar për atë që besonte".
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Vladimir Putin ka bërë “disa gabime të mëdha” kur ka nisur pushtimin e Ukrainës, përfshirë nënvlerësimin e aftësisë së vendeve të NATO-s për të mbështetur Ukrainën.
- Zëdhënsja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë se Moska ka pasur kontakte të herëpashershme me zyrtarë të lartë amerikanë, duke konfirmuar se së shpejti do të nisin konsultimet ShBA-Rusi për armët bërthamore.
- Mijëra banorë të Kievit kanë nënshkruar një peticion duke u kërkuar autoriteteve të qytetit të mos vendosin një pemë gjigante gjatë periudhës festive të këtij viti, dhe në vend të kësaj të japin para për ushtrinë dhe njerëzit e zhvendosur nga lufta me Rusinë.

