Lufta Rusi-Ukrainë: Ngjarjet më kryesore të ditës
Në ditën e 258 të pushtimit rus në Ukrainë, Nacionale sjell një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve më kryesore.
- Pas disa raporteve nga Washington Post, se ShBA ka kërkuar nga Ukraina që të negociojë me Rusinë, Ukraina e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se pozicioni i saj në lidhje me negociatat nuk ka ndryshuar. Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se ShBA e trajtonte Ukrainën si të barabartë dhe nuk kishte asnjë detyrim nga ana e saj, duke shtuar edhe se Ukraina është drejtë fitores dhe ulja në tryezë të negociatave tani do të ishte “marrëzi”.
- Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë se për momentin nuk sheh nevojë për të evakuuar Kievin ose ndonjë qytet tjetër që nuk ishte afër vijës së frontit në luftën kundër Rusisë. Ai i bëri komentet e tij pas sulmeve ruse në sistemin energjetik të Ukrainës, dhe pasi kryetari i bashkisë së Kievit u tha banorëve që të merrnin parasysh gjithçka, përfshirë një skenar të rastit më të keq, ku kryeqyteti mund të humbë plotësisht energjinë dhe ujin.
- Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Ukrainës tha të martën se "kushti kryesor" për rifillimin e negociatave me Rusinë do të ishte rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës. Oleksiy Danilov tha se Ukraina gjithashtu kishte nevojë për "garanci" të mbrojtjes moderne ajrore, avionëve, tankeve dhe raketave me rreze të gjatë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pretenduar se forcat e tij janë duke zmbrapsur gradualisht trupat ruse në disa pjesë të lindjes dhe jugut. Zelensky shtoi se rajoni lindor i Ukrainës Donetsk vazhdon të jetë qendra e betejave më të përgjakshme të Ukrainës, duke pretenduar se “qindra rusë po vdesin çdo ditë”.
- Zëvendësministri i infrastrukturës i Ukrainës ka thënë se, Ukraina dëshiron që marrëveshja e eksportit të grurit në Detin e Zi të zgjerohet për të përfshirë më shumë porte dhe mallra dhe shpreson që javën e ardhshme të merret një vendim për të zgjatur marrëveshjen për të paktën një vit.
- “Pushtimi rus i Ukrainës ka shpërqendruar qeveritë botërore nga përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike,” ka thënë Zelensky në konferencën e klimës Cop27 të mbajtur në Egjipt ditën e martë. "Nuk mund të ketë një politikë efektive klimatike pa paqe," ka shtuar ai.
- Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se Rusia po shton përpjekjet e saj për të ndërtuar pengesa thelbësore për të ngadalësuar përparimin e forcave ukrainase në vendet kryesore që po mbron, duke përfshirë rreth qytetit të shkatërruar të Mariupolit. Inteligjenca britanike ka vlerësuar se ushtria ruse është duke përdorur dy fabrika në Mariupolin e pushtuar për të prodhuar një numër të madh të "dhëmbëve të dragoit" - blloqe betoni piramidale të dizajnuara për të ngadalësuar avancimin e automjeteve ushtarake të Ukrainës.
- “Presidenti rus, Vladimir Putin, do t'i bashkohet samitit të G20 të javës së ardhshme nëse situate e lejon”, ka thënë të martën homologu i tij indonezian, Joko Widodo, i cili do të jetë nikoqir i takimit. Ndërsa, lidhur me këtë, të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini do të vendosë deri në fund të javës nëse do të marrë pjesë apo jo në samit.
- Një zyrtar i koalicionit qeverisës të Italisë, ka thënë se qeveria italiane po përgatit një paketë të re armësh për Ukrainën duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore.
- Gazeta ruse Kommersant, ka shkruar se Rusia dhe ShBA po diskutojnë mbajtjen e bisedimeve për armët strategjike bërthamore për herë të parë që kur Moska dërgoi trupat në Ukrainë.

