Lufta në Ukrainë: Ndryshim i strategjisë, apo Moska po e pranon dështimin?
A duhet ushtria ruse të ndryshojë planet e saj? Ndoshta edhe të zvogëlojë shkallën e ambicieve të Moskës në Ukrainë? Këto janë pytjet që lindin momentalisht edhe pse mbase është shumë herët për të thënë, por padyshim që ka një ndryshim në atë se çfarë po ndodh në teren.
Një gjeneral i lartë rus - Sergey Rudskoy - deklaroi se "faza e parë" e asaj që Presidenti Vladimir Putin e quan "operacioni special ushtarak" i Rusisë është kryer përafërsisht dhe se forcat ruse tani do të përqendrohen në "çlirimin e plotë të Donbas-it".
Kjo lë të nënkuptohet si një përpjekje më të bashkërenduar për të shtyrë përtej "vijën e kontaktit" që ndan territorin e mbajtur nga qeveria ukrainase në lindje të vendit dhe nga "republikat popullore" separatiste të Donetskut dhe Luhanskut të mbështetur nga Rusia.
Ritmi i përparimit të Rusisë në zona të tjera të Ukrainës mbetet shumë i ngadaltë. Forcat e saj janë larguar nga pozicionet përreth kryeqytetit, Kiev, dhe thuhet se kanë filluar të gërmojnë pozicione mbrojtëse për të shmangur humbjen ose thënë ndeyshe, për t'u përgatitur për një lloj pauze.

Është ndoshta shumë herët për të arritur në përfundimin se Rusia ka hequr dorë nga pushtimi i Kievit, por zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia vazhdon të përjetojë pengesë pas pengese.
Të premten, ata thanë se Rusia kishte humbur të shtatin gjeneral dhe se morali kishte rënë në fund në disa njësi ushtarake.
Ata besojnë se lajmi që dha gjenerali Rudskoy nënkupton se Moska e di se strategjia e saj ambicioze e paraluftës ka dështuar.
“Rusia po e kupton se nuk mund të ndjekë operacionet e saj në shumë akse njëkohësisht”, tha një zyrtar.
Pothuajse 10 grupe të reja taktike të batalioneve ruse po krijohen, thonë zyrtarët, dhe po shkojnë për në Donbas.
Edhe para fillimit të luftës muajin e kaluar, ata shprehnin frikën se Rusia do të bënte një përpjekje të përbashkët për të rrethuar njësitë më të mira luftarake të Ukrainës.
Dhe nëse Rusia mund të arrijë të marrë përfundimisht portin e Mariupolit, në Detin Azov, atëherë forcat e tjera mund të lëvizin në veri dhe të përfundojnë rrethimin e vendeve tjera aty afër.

Disa nga këto objektiva duken ende të paarritshme. Mbrojtësit e Mariupolit po bëjnë një luftë të egër, duke e penguar Rusinë të arrijë plotësisht një nga ambiciet e saj të paraluftës - një urë tokësore nga Gadishulli i Krimesë në Donbas.
Por nëse Moska ka arritur në përfundimin se ka më shumë kuptim të përqendrohet në arritjen e një objektivi në një kohë, ka të ngjarë të përqendrojë fuqinë e saj të zjarrit, veçanërisht nga ajri në ato vende se ku i synon.
Ushtria ukrainase, e disiplinuar dhe e motivuar siç është, do të ketë nevojë për të gjithë ndihmën që mund të marrë për t'i bërë ballë presionit.
"Shpresoj se këtu furnizimi perëndimor me armë do të japin një kontribut të rëndësishëm për forcat ukrainase", tha një zyrtar perëndimor.
Nëse ditët e ardhshme do të shohin një zhvendosje të fokusit në Donbas, kjo nuk do të thotë ende se Moska ka braktisur ambiciet e saj më të gjera. /Nacionale/