Lituania do të mbyllë përkohësisht dy pikëkalime kufitare me Bjellorusinë, shqetësim nga “Wagner”-i
Lituani njoftoi të mërkurën se do t’i pezullojë përkohësisht operacionet në pikëkalime kufitare me Bjellorusinë për shkak të shqetësimit rreth forcave të grupit “Ëagner”, sipas një deklaratë për shtyp të zyrës së qeverisë lituane.
Pikat kufitare Sumskas dhe Tverecius do të pezullohen përkohësisht duke filluar nga e premtja, thuhet në deklaratë. Lituania ka gjashtë pikëkalime kufitare me Bjellorusinë, raporton televizioni CNN.
Ministrja e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite, tha se mbyllja e këtyre dy pikëkalimeve kufitare është kundërpërgjigje ndaj zhvendosjes së forcave të grupit “Wagner” në Bjellorusi rishtazi, sipas komunikatës.
“Ky vendim është njëra nga masat parandaluese me qëllim të menaxhimit të rreziqeve që po shfaqen ndaj sigurisë kombëtare dhe provokimeve të mundshme në kufi. Kjo do t’u mundësojë oficerëve kufitarë që t’i rishpërndajnë kapacitetet e tyre në kufi me Bjellorusinë dhe t’i kushtojnë edhe më shumë vëmendje mbrojtjes së kufirit shtetëror”- shtoi ministrja lituane.
Edhe Polonia rishtazi ka njoftuar për masa shtesë, duke marrë vendim për të dërguar rreth 10 mijë trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë. Luftëtarët e grupit “Wagner” tash për tash janë të vendosur në Bjellorusi – aleate e ngushtë e Rusisë – pas kryengritjes së dështuar që zgjati pak kundër Moskës.
Vendimi për të mbyllur dy pikëkalime kufitare me Bjellorusinë u nxit nga një propozim i Ministrisë së Transportit dhe Komunikimeve të Lituanisë, ndërsa kabineti qeveritar e miratoi planin të mërkurën.
“Qëllimi i ndërprerjes së operacioneve përkohësisht në këto pika kontrolli është që të zvogëlohen rreziqet e mundshme përgjatë kufirit me Bjellorusinë. Këto pika kufitare e lejojnë vetëm kalimin e automjeteve të lehta, pika Tverecius është duke e trajtuar edhe trafikun e kalimit të kamionëve të mallrave që janë bosh”- tha ministri i Transportit dhe Komunikimeve, Ramunas Dilba.
