Polonia do të dërgojë dy mijë ushtarë shtesë për ta përforcuar kufirin me Bjellorusinë
Polonia do të dërgojë dy mijë trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë, tha të mërkurën zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Polonisë të mërkurën, dyfish më shumë se numri i kërkuar nga Roja Kufitare, për t’i luftuar kalimin ilegal të kufirit dhe për ta ruajtur stabilitetin.
Varshava është shqetësuar gjithnjë më shumë për zonën kufitare që nga koha kur qindra mercenarë të grupit “Wagner” arritën në Bjellorusi muajin e kaluar me ftesën e presidentit Alexander Lukashenko, raporton agjencia “Reuters”.
Bjellorusia nisi ushtrime ushtarake afër kufirit këtë javë dhe Lukashenkoja ka thënë disa herë se ishte duke i ndalur luftëtarët e grupit “Wagner” që duan ta sulmojnë Poloninë.
Polonia është ballafaquar edhe me rritje të numrit të emigrantëve kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika që janë përpjekur për ta kaluar kufirin muajve të fundit. Gjatë dy viteve të fundit, Polonia e ka akuzuar Bjellorusinë për rekrutim të emigrantëve në shtete të varfra dhe për dërgim të tyre matanë kufirit ilegalisht për të mbjellë jostabilitet.
“Ky përforcim nuk do të jetë me një mijë, por me dy mijë trupa”- tha zëvendësminsitri Maciej Wasik. “Ky vendim është marrë nga Komiteti i Sigurisë, kjo vendim është marrë nga ministri (i Mbrojtjes) Mariusz Blaszczak”- shtoi ai.
Të hënën, zëvendësministri tha se Roja Kufitare kishte kërkuar që një mijë ushtarë shtesë të vendoseshin në kufi.
Sipas këtij zyrtari, të gjitha përpjekjet e emigrantëve për të hyrë ilegalisht në Poloni tanimë po organizoheshin nga autoritetet bjelloruse.
“Nëse do të kishim roja kufitare të vërteta në anën tjetër (të kufirit), e jo shërbime kontrabande, këto kalime nuk do të ekzistonin fare”- tha zëvendësministri Wasik.
