Ligj i ri në New York, Times Square do të caktohet "zonë pa armë" - NACIONALE

Ligj i ri në New York, Times Square do të caktohet "zonë pa armë"

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ligjvënësit e qytetit të New York-ut janë duke përcaktuar se cilat pjesë të zonës së famshme turistike të Times Square do të konsiderohen si një "zonë pa armë", pasi të enjten do të hyjë në fuqi një ligj i ri shtetëror që kufizon vendet publike ku mund të mbahen armët e zjarrit.

Sipas CNN, ligji përshkruan zonat që konsiderohen "të ndjeshme" ku posedimi i armëve të zjarrit do të jetë i paligjshëm e në këto zona përfshihet edhe Times Square, një nga destinacionet turistike më të ngarkuara në botë që tërheq afro 360,000 njerëz çdo ditë.

Fusha të tjera që ligji i përcakton si të ndjeshme përfshijnë ndërtesat në pronësi të qeverisë, shkollat, objektet e kujdesit shëndetësor, vendet e adhurimit dhe transportin publik. Ndërsa, personat që kapen duke mbajtur një armë në këto zona të ndaluara mund të akuzohen për krim.

Në Times Square tashmë janë vendosur tabela “zonë pa armë”, ndërsa në disa pika qyteti do të vendosë edhe video mesazhe.

Aspekte të tjera të ligjit të ri përfshijnë një proces të rreptë licencimi për të marrë leje për mbajtje të armës dhe kërkon gjithashtu kontrolle për shitjet e municioneve.

Sipas masës, pronarëve të armëve do t'u kërkohet të ruajnë armët e zjarrit në vende të sigurta në shtëpitë e tyre nëse në banesë jetojnë persona nën moshën 18 vjeç -- një rritje nga mosha e vendosur më parë që ishte 16 vjeç.

Përpjekjet për të gjurmuar blerjet e armëve

Ligji i ri vjen në një kohë kur qyteti i New York-ut po lufton me dhunën me armë, pavarësisht përpjekjeve të kryebashkiakut Eric Adams për ta frenuar atë përmes një plani me shumë pika që ai zbuloi në janar pas marrjes së detyrës.

Sipas të dhënave nga NYPD, krahasur me vitin e kaluar, qyteti ka parë një rritje prej 30 % të krimeve të mëdha.

Në një përpjekje për të goditur blerjet e paligjshme të armëve, zyrtarët e qytetit poashtu kanë kërkuar nga Visa, Mastercard dhe American Express të miratojnë krijimin e një kodi të kategorisë së tregtarëve për dyqanet e armëve në të gjithë vendin.

Lajme të ngjashme