Letonia dhe Estonia braktisën nismën që synonte forcimin e bashkëpunimit midis Kinës dhe Evropës
Letonia dhe Estonia u tërhoqën sot nga Iniciativa 16+1, e cila synon të forcojë bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Vendimi vjen mes kritikave perëndimore ndaj Kinës për përshkallëzimin e presionit ushtarak ndaj Tajvanit, një komb ishull demokratik që Kina e pretendon si territorin e saj, pas një vizite të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.
"Pjesëmarrja në formatin 16+1 deri më tani nuk ka çuar në rezultatet e dëshiruara ekonomike", tha Ministria e Punëve të Jashtme të Letonisë.
Lituania e braktisi këtë iniciativë që në maj, pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Pekinin për shkak të mundësimit të hapjes së ambasadës tajvaneze në territorin e saj.
Letonia, nga ana tjetër, njoftoi se pjesëmarrja në iniciativë nuk është më "në përputhje me qëllimet strategjike në mjedisin aktual ndërkombëtar".
Të dy vendet theksuan të enjten se duan të vazhdojnë punën për "marrëdhëniet konstruktive dhe pragmatike me Kinën", duke respektuar sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe të drejtat e njeriut.
Në nismën 16+1 marrin pjesë edhe Kroacia, Bullgaria, Çekia, Greqia, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, e cila sigurisht do të ndryshojë emrin për shkak të largimit të shteteve baltike. Në vitin 2019, Kroacia ishte mikpritëse e saj në Dubrovnik. /Nacionale/