Leopard 2 në Ukrainë, “Gjermania ka nevojë urgjente për zëvendësimin e tyre”
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius ka thënë se vendi duhet të porosisë menjëherë tanke të reja Leopard, pasi është angazhuar të nisë 14 tanke të saj në Ukrainë.
“Faktori vendimtar për mua është se ne duhet të porosisim tanke të reja, dhe jo brenda një viti, por shpejt në mënyrë që prodhimi të fillojë dhe të mund të planifikojmë se sa Leopardë të rinj do të kemi në dispozicion - dhe kur,” – është shprehur Pistorius para gazetarëve.
“Nga vijnë paratë – për ta thënë në terma të rastësishëm, sinqerisht nuk më intereson. Ajo që ka rëndësi është që ne t’i dorëzojmë shpejt,”- ka shtuar ai.
Kujtojmë se, kancelari Olaf Scholz njoftoi për dërgimin e tankeve luftarake Leopard 2 në Ukrainë javën e kaluar, pas intensifikimit të presionit ndërkombëtar të udhëhequr nga ShBA-të, Polonia dhe një bllok vendesh të tjera evropiane që i bënë thirrje Berlinit të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Tankë në Ukrainë, kanë premtuar të dërgojnë edhe ShBA-të, Britania e Madhe, Polonia, Kanadaja, Franca, Norvegjia, Holanda e Spanja. Pritet që në total numri i tankeve moderne që do të arrijë në Ukrainë do të jetë 100.
Ndërkohë, Ukrainë ka nisur kërkesat edhe për avionë luftarakë F-16, megjithatë deri më tani nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga Perëndimi.

