Lavrovi thotë se aeroplanët F-16 për Ukrainën do të shiheshin si kërcënim në sferën bërthamore
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se vendi i tij do t’i cilësonte aeroplanët luftarakë F-16 dhuruar Ukrainës nga aleatët e NATO-s si kërcënim nga Perëndimi në sferën nukleare.
“Ne i informuam fuqitë bërthamore – ShBA-në, Britaninë dhe Francën – se Rusia nuk mund ta shpërfillë aftësinë e këtyre aeroplanëve për të bartur armë bërthamore”- tha kryediplomati rus, raporton televizioni CNN.
“Ushtarët tanë nuk mund të kuptojnë nëse secili aeroplan i këtij lloji është i pajisur për bartjen e armëve bërthamore apo jo. Vetë fakti i paraqitjes së këtij lloji të sistemit në Forcat e Armatosura të Ukrainës do të shikohet nga ne si kërcënim nga Perëndimi në sferën bërthamore”- shtoi ai.
Deri më tani, asnjë shtet nuk është zotuar se do ta furnizojë Ukrainën me këtë lloj aeroplani të prodhimit amerikan. Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën pas një takimi me kryeministrin holandez, Mark Rutte, se dy vendet ishin pajtuar për ta filluar trajnimin e pilotëve në gusht.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha të enjten se do të nevojiten muaj para se Ukraina të mund të përdorë aeroplanë të tipit F-16, duke theksuar se përpos trajnimit të pilotëve, duhet të ekzistojë edhe aftësia për mirëmbajtjen e tyre dhe fushat ajrore të përmirësohen për t’i akomoduar këta aeroplanë.
Aeroplanët F-16 mund të përdoret për disa qëllime dhe mund të modifikohen për të bartur armë bërthamore taktike. Forcat ajrore amerikane, belge dhe holandeze kanë aeroplanë të tillë për këtë mision.
Megjithatë, sipas drejtorit të Projektit Informues Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, Hans Kristensen, aeroplanët F-16 që do t’i dërgoheshin Ukrainës nuk do të ishin të aftë për të bartur armë bërthamore.
